Kristaq Traja - “Duhej referendum për Kodin Zgjedhor”
Aristir Lumezi
Ish-përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, Kristaq Traja komenton ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, Kodin e ri Zgjedhor dhe debatin për çështjen e imuniteteve.Traja shprehet se ndryshimet kushtetuese dhe Kodi zgjedhor ishin çështje thelbësore të Kushtetutës, që kërkonin referendum popullor. Ai këmbëngul se krijimi i Senatit në Shqipëri, do t’i japë më shumë frymëmarrje institucioneve kushtetuese, por dhe do të rregullojë balancat e pushteteve.
Zoti Traja, Kushtetuta ka mbushur 10 vjet jetë. Si gjykoni sipas këndvështrimit tuaj përdorimin e saj në këto vite. A e ka përmbushur ajo qëllimin e saj?
E kam thënë dhe jam i mendimit se Kushtetuta në tërësi është e mirë, ka vlejtur si instrument frenues dhe transformues. E meta numër një qëndron në zbatimin e saj, jo në planin normativ. Gjatë zbatimit të saj janë vënë re boshllëqe të mëdha, dhe për këtë arsye është vënë në pikëpyetje dhe vetë integriteti i kushtetutës. Në Kushtetutë ishte planifikuar të zbatohej drejtpërsëdrejti nga institucionet shtetërore, ndërkohë në praktikë ndodh që peshën specifike më të madhe ta marrin ligjet. Ky fenomen quhet legjicentrizëm, fenomen që çon në republikat parlamentare të tipit klasik të shekullit 18-19. Ne duhet të kuptojmë, që jemi republikë jo thjesht parlamentare, por republikë parlamentare konstitucionale, ku pushtetet janë të ndara dhe sipas një shprehje të pak ditëve më parë të zotit Zaharia, “edhe pushtetet duhet të ndahen barazisht, jo në mënyrë të njëanshme dhe me një përqindje gjyqësore 99 % të ekzekutivit”. E dyta, në zbatimin e saj, kjo Kushtetutë ka shkarë drejt fuqizimit të pushtetit ekzekutiv. Është e vërtetë që në Kushtetutë kishte kontrolle për të mbajtur ekzekutivin në kufij kushtetues, por amendimet e 21 prillit e hoqën këtë barrierë. Praktikisht, në Kushtetutë ekzistojnë sot vetëm dy pushtete nga tre që kishim; parlamenti dhe qeveria, të dyja pjesë të njëra-tjetrës, dhe përballë tyre qëndron një gjyqësor ende i dobët me të vetmen garanci që ka një Gjykatë Kushtetuese, e cila vetë ka nevojë për mbrojtje. Së treti, kjo kushtetutë provon se mekanizmi i emërimit dhe shkarkimit të zyrtarëve të lartë të drejtësisë, (gjyqtarë kushtetues dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë) nuk është shumë efikas për shkak të ndryshimeve të fundit në Kushtetutë. Gjithashtu, dobësimi i rolit të Presidentit është një hap prapa, i cili çon në dobësimin e garancive të emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve të lartë.
Si e konsideroni shma-ngien e Komisionit të Venecias nga konsultimi për amendamentet kushtetues të 21 prillit?
Këto amendamente u bënë me shumë nxitim, pa konsultimin e grupeve të interesit, pa konsultimin e shoqërisë civile, jashtë publikut, jashtë mediave dhe mbi të gjitha nga pikëpamja metodike, këto ndryshime u bënë dhe jashtë dijenisë së Komisionit të Venecias, i cili ka asistuar që nga neni i parë e deri tek i fundit i Kushtetutës, në një proces të gjatë dhe ka ndihmuar në hartimin e projektit si në asnjë kushtetutë tjetër të vendeve të ish-Bllokut Lindor. Jo vetëm moralisht ishte e domosdoshme të konsultoheshin ekspertët e Komisionit të Venecias, por në njëfarë pikëpamje edhe juridikisht nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, pasi Komisioni i Venecias është strukturë e KE, ku ne bëjmë pjesë me anëtarësi të plotë dhe në këtë sens kemi angazhime që duhet t’i plotësojmë.
Mendoni se kemi dy standarde nga ana e politikës shqiptare, kur për shkak të proceseve integruese, të dyja forcat kryesore politike kërkojnë të përmbushin reformat me standarde evropiane dhe nga ana tjetër, injorohen institucionet evropiane si Komisioni i Venecias, kur është fjala për të fuqizuar pushtetin e të mëdhenjve dhe duke mos garantuar të drejtat e minorancave?
Në rastin konkret janë cenuar standardet. Apriori, marrëveshjet mes pozitës dhe opozitës nuk mund të gjykohen si të mira apo të këqija, e keqja më e madhe është se në rastet e këtij bashkëpunimi për problemet madhore kushtetuese të vendit humbet kontrolli i fundit politik mbi pushtetin, do të thotë që për interesa madhore të vendit, pozitë-opozitë bashkohen dhe interesat e partive të vogla sfumohen. Nëse kjo skemë është më e mirë për Shqipërinë ose jo, nuk besoj se u përket dy partive të mëdha, ndoshta për mendimin tim kjo kërkonte një procedurë refendare. Nëse sistemi i zgjedhjeve në vetvete mund të mos kritikohet, pra ai duhet parë si pasojë e praktikës në Shqipëri të tij. Nuk ka gjykime abstrakte për sistemin zgjedhor, por ka vlerësime konkrete. Nuk besoj se ishte koha për të bërë operacione kaq të rënda në trupin e Kushtetutës pa një konsultë të gjerë. Rrugën referendare do ta shikoja si rrugën më normale në një demokraci për të vendosur mbi problemin kryesor që ka Shqipëria.
Ju disa herë keni përmendur domosdoshmërinë e krijimit të Senatit në Shqipëri. I mbaheni këtij qëndrimi dhe cilat janë përparësitë e tij në kushtet e Shqipërisë
Në Kushtetutë, në hartimin e saj u bënë përpjekje për të futur një strukturë përfaqësuese, e kam fjalën për senatin. Kjo nuk u bë. Unë e kam parë dhe e shoh si një strukturë të domosdoshme për Shqipërinë. Ideja se vende të vogla si Shqipëria në Evropë nuk kanë senat, nuk kanë ndonjë bazë, sepse edhe vendet e tjera nuk janë si Shqipëria. Ne duhet të diskutojmë në terrenin shqiptar. Para së gjithash senati do të zgjidhte raportet politike dhe pastaj edhe legjislative. E nisim nga e para, senati në përbërjen e tij bazuar në formulën e zgjedhjes, është maxhoritar, zgjidhet direkt nga populli, një herë në dy vjet kur i rinovohet 1/3 dhe për këtë arsye matematikisht përbërja e senatit nuk është e barabartë me përbërjen e Kuvendit. Që këtej lindin raportet frenuese në raste të mira, nxitëse në raste të këqija. Duke i ballafaquar me rastet e fundit, për Kodin zgjedhor ose për ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi senati do kishte të drejtën të thoshte fjalën e duhur, në njëfarë mënyrë senati detyronte dhe kompromise, ndryshe bllokohen gjërat. Është shumë më e volitshme të bisedohet në një forum më të vogël, më profesional me politikanë më të regjur, që populli i zgjedh në senat, i cili përçon zërin dhe vullnetin e votuesve që do të thotë se është një kundërpeshë ndaj sistemit me lista partiake. Nga ana tjetër ligjet janë shumë të pjekura për të kaluar dhe mbi të gjitha, do të ishte senati që do bënte zgjedhjen dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë të shtetit, në radhë të parë të drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, duke shmangur dhe ndikimet politike.
Ndryshimet e fundit dhe tendencat e politikës shqiptare janë fuqizimi i forcave të mëdha, përqendrimi i pushteteve në pak duar dhe injorim dhe mungesë garancie për minorancat. Çfarë rreziqesh mund të sjellë kjo?
Fenomeni që u vu re është fuqizimi i ekzekutivit dhe nuk e kam fjalën vetëm për ekzekutivin e sotëm. Unë e shikoj funksionimin nga ana kushtetuese. Një Kushtetutë është e llogaritur të frenojë pushtetet, sidomos ekzekutivin, sepse ky princip i fiksuar në Kushtetutë ka të bëjë pak a shumë me republikat presidenciale, ku janë tre pushtete të ndarë me legjitimitet të ndarë. Në Shqipëri që është republikë parlamentare është harruar principi i konstitucionalizmit në këtë pikë, pasi kemi vetëm dy pushtete dhe një gjyqësor, i cili zgjidhet dhe kontrollohet prej këtij pushteti. Pra, efektivisht ekzekutivi është në majë, ai është iniciator i lëvizjeve, ai sundon Kuvendin. Ideja se Kuvendi mund të kontrollojë qeverinë nuk është reale. Partitë e vogla në këtë skemë politike mundet vetëm të flasin dhe të kërkojnë. Është e vërtetë se rregulli i demokracisë është ai i shumicës, por nga ana tjetër edhe konsensusi për çështjet madhore është përsëri princip i një republike parlamentare konstitucionale. Nuk duhet harruar se Kushtetuta është një akt i popullit, populli u jep pushtet dhe në këtë sens ata janë të mandatuar, dhe për këtë arsye ata duhet të mendohen dhe të respektojnë edhe partitë e tjera. Prandaj bëhet dhe Kushtetuta që të mbrojë pakicat, pasi shumica që ka pushtetin nuk ka nevojë për mbrojtje. Fakti që amendimet kushtetuese u bënë me shpejtësi dhe lehtësi, tregon se ka diçka se nuk parashikon tek mekanizmi i ndryshimit të Kushtetutës. Kam parasysh nenin 177, që parashikon mënyrën se si bëhen amedamentet në Kushtetutë. Janë përcaktuar dy mënyra, e para referendumi dhe supershumica prej 2/3. Kushtetua ka një defekt, sepse nuk përcakton fushat kur duhet medoemos referendumi. P.sh., blloku qendror i Kushtetutës, që ka të bëjë me themelet e pushteteve, sistemi zgjedhor, ndarja e kompetencave dhe çështje të tjera, pa të cilat nuk mund të funksionojë republika, duhet të kërkonin medoemos referendum popullor. Ndërsa me 2/3 e Kuvendit mund të bëhen amendamente për çështje më anësore në Kushtetutë. Ndërkohë, që ka ndodhur e kundërta. Çështja e Kodit zgjedhor është klasike për referendum, sepse është themeli i demokracisë, ndërkohë është bërë me 2/3.
Në këtë kompleks ndryshimesh të vazhdueshme kushtetuese, si e shihni rolin e Gjykatës Kushtetuese?
Unë kam qenë i mendimit se në Shqipëri duhet të kishte një gjykatë të vetme, me atribute të zakonshme dhe kushtetuese. Zgjidhja për të pasur një Gjykatë Kushtetuese nuk është e kritikueshme, pasi ajo merr parasysh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis departamenteve të ndryshme të qeverisjes, duke e lënë gjyqësorin më të qetë. Kompetencat e kësaj gjykate janë të forta dhe unë jam për fuqizimin e mëtejshëm të tyre. Dëgjoj shpesh kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Problemi është tek emërimi i gjyqtarëve, që vërtet meritojnë të jenë në atë organ shumë të lartë, që kërkon jo vetëm eksperiencë, por dhe neutralitet politik. Por me këtë sistem emërimi, politika ndikon fuqishëm dhe shpeshherë drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm ankohen për vendime, që nuk u shkojnë për shtat. Njerëzit në Gjykatën Kushtetuese nuk u përkasin atyre që i zgjedhin.
Janë dy çështje madhore për momentin që kanë objekt kushtetues, është kërkesë për referendum e një komiteti për ndryshimet kushtetuese, por mund të jetë dhe Kodi zgjedhor i sapo miratuar. Nga pozicioni juaj konsiderohen antikushtetuese këto dy çështje?
Kjo është një çështje në gjykim. Mendime personale mund të ketë shumë. Unë rezervohem shumë në këtë pikë, jo se jam kundër që të shkojë në referendum, por në dispozitat kushtetuese ka një rrugë të posaçme për amendimin, nga ana tjetër Gjykata Kushtuese e ka bërë në një rast, në vitin 1998 një kontroll në substancë të një amendamenti kushtetues të dispozitave kryesore kushtetuese. Pra, ka një precedent. Në këtë sens, gjykata ka opsione. Unë apriori nuk e përjashtoj përfshirjen e saj në këtë gjykim, por nëse ajo merr vendim të kundërt unë e pranoj gjykimin e saj.
Brenda 3 viteve kemi pasur ndërhyrje në Kushtetutë, para dy vjetësh si pasojë e prishjeve të balancave politike në KQZ, tani patëm ndryshimet kushtetuese të 21 prillit dhe pritet që Kushtetuta të preket sërish për çështjen e imuniteteve. Cili është gjykimi juaj për çështjen e imuniteteve ?
Edhe në fazën e hartimit të Kushtetutës ka pasur debate për çështjen e imuniteteve. I vetmi përjashtim nga imuniteti ishte në rastin e shpifjeve, pak a shumë një model gjerman. Unë nuk jam kundër heqjes së imuniteteve. Duhet parë dhe ana tjetër, balanca nëse një deputet për mendimet që shpreh mund të inkriminohet dhe në kushtet kur partitë tashmë janë blloqe dhe jo anëtarësim i lirë, flas në veprimtari, kjo mund të çojë dhe në penalizimin e deputetëve rebelë. Pra, gjithmonë në Shqipëri problemi shtrohet jo thjesht në parim. Për veprimet antiligjore ka një procedurë parlamentare, e cila është respektuar gjithmonë. Përse duhet hequr në këtë sens imuniteti, kur parlamenti tregohet gjithnjë i gatshëm ta bëjë këtë? Nëse kjo rrugë ekziston dhe partitë politike vendosin të heqin imunitetin le ta bëjnë. Çfarë do të ndodhë pastaj? Prokuroria duhet të veprojë mbi deputetin si çdo qytetar i lirë. Unë nuk jam i sigurt se cila do të jetë kjo listë deputetësh që do të ndiqen. Në kohën që presionet bëhen të fuqishme mbi prokurorinë, mandati i prokurorit reduktohet, kur prokurori nuk është i imunizuar vetë nga kjo punë, unë besoj se ndjekja penale mund të bëhet selektive.
Sipas jush imuniteti i deputetit dhe ai i gjyqtarit janë të barasvlefshëm për ekzekutimin funksionit të secilit?
Për gjyqtarin çështja qëndron ndryshe. Imuniteti i gjyqtarëve është një koncept i patundshmërisë së tyre. Të kërcënosh një gjyqtar se mund t’i heqësh imunitetin, do të thotë t’i vesh drejtësisë shpatën e Demokleut mbi kokë. Vetë natyra e punës gjyqësore e kërkon këtë lloj imuniteti. Ka gjyqtarë që e shkelin ligjin, ka gjyqtarë që duhen ndëshkuar. Për këtë ka mënyra; gjyqtarët e lartë shkojnë në Parlament, gjyqtarët e tjerë shkojnë në KLD. Problemi i imunitetit të shkallës së parë dhe të dytë nuk duhet të shtrohet tani, sepse edhe tani KLD bën inkursione tepër të thella në pavarësinë e gjyqësorit. Unë do ta shtroja në të kundërt, imuniteti dhe pavarësia e gjykatës duhet shtuar. Nëse i heq imunitetin gjyqtarëve do të thotë ta lësh drejtësinë të zhveshur përballë presionit politik dhe ta bësh totalisht inefeciente.
Referendumi, Gjykata Kushtetuese nis procesin
Gjykata Kushtetuese nis të martën shqyrtimin e kërkesës së Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës për lejimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese. Të gjitha palët janë thirrur të marrin pjesë në seancën e të martës. KQZ do të përfaqësohet nga kryetari i saj Çlirim Gjata, që do të mbrojë vendimin e këtij institucioni për të mos pranuar kërkesën e KMK për t’i pajisur ata me formularë për nisjen e referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Pas vendimit të KQZ-së, i cili e rrëzoi kërkesën e tyre, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e tij për shfuqizimin e këtij vendimi. Hartues i kërkesës është grupi nismëtar për zhvillimin e referendumit, i përbërë nga figura të shquara të shoqërisë civile dhe politikës. “Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos marrë në shqyrtim kërkesën për fillimin e procedurave për një referendum të përgjithshëm, cenon të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor me qëllim mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm”, thuhet në kërkesën e komitetit. Sipas tij, “KQZ-ja duhet të zbatonte nenin 127 të ligjit, duke dhënë fletët-tip për mbledhjen e nënshkrimeve kundrejt pagesës”. Vetëm pas mbledhjes së nënshkrimeve nga jo më pak se 50.000 zgjedhësish të regjistruar, KQZ-ja mund të shqyrtonte rregullshmërinë e kërkesës. Me vendimin e dhënë, KQZ mori kompetencat e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet grupi nismëtar. “KQZ ka shkelur rëndë procedurat ligjore të përcaktuara në nenin 126, 127 e vijues të Kodit Zgjedhor, duke mos pranuar për shqyrtim kërkesën tonë. Komiteti shprehet se i vetmi institucion, që mund të shprehet për kushtetutshmërinë e një referendumi është Gjykata Kushtetuese. Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës i ka dërguar një letër presidentit të Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso, komisionarit për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, ku shprehet shqetësimi për rrezikimin e demokracisë liberale në Shqipëri pas amendamenteve të 21 prillit. Gjithashtu, në dijeni të këtyre ndryshimeve dhe shqetësimit se këto ndryshime nuk u kaluan ashtu si kushtetuta në 1998 nga gjykimi popullor, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës i ka dërguar një letër dhe Komisionit të Venecias.