E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, padi penale ndaj Dobjanit

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA
Pasi e akuzuan publikisht të shtunën për kryerje të veprimeve arbitrare në ushtrimin e detyrës dhe pengim të hetimit kreun e këtij institucioni, drejtuesit e policisë kërkojnë ndjekjen penale të tij.
Nga burime pranë Drejtorisë së Policisë së Shkodrës bëhet e ditur se paraditen e djeshme, kallëzimi penal është regjistruar në Prokurorinë e Rrethit për dy akuzat e mësipërme. Sipas deklaratës së bërë nga policia, i takon prokurorisë për të zhvilluar hetime mbi veprimet e kryera nga ana e Avokatit të Popullit, Emir Dobjani dhe komisionarëve të tij paraditen e së premtes, gjatë një inspektimi në këtë drejtori policie. Kontrolli u krye pas ankesës së bërë nga një 20-vjeçar, se ishte dhunuar gjatë kohës kur po merrej në pyetje për një ngjarje të vjetër. “Veprimet e Avokatit të Popullit Emir Dobjani dhe komisionarët e tij, që e shoqëronin gjatë një inspektimi në këtë drejtori policie ishin arbitrare, arrogante dhe kanë prishur hetimet lidhur me një ngjarje të vjetër, që i përkiste vitit 1997”, u deklarua të shtunën nga policia, ndërsa mohohej fakti se oficerët e policisë gjyqësore të kenë ushtruar dhunë gjatë marrjes në pyetje të 20-vjeçarit E.A. Në deklaratën zyrtare të policisë theksohet se më datë 10 shtator 2008 është bërë i mundur rifillimi i hetimeve për çështjen penale nr.53, të vitit 1997, e cila bën fjalë për vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e katër shtetasve të tjerë, për motive gjakmarrje. “Ngjarja ndodhi më 1 gusht 1997, në vendin e quajtur lagjja “Liria” të qytetit të Shkodrës. Në zbatim të detyrave të deleguara nga prokuroria për dokumentimin ligjor të ngjarjes, më 21 nëntor 2008, rreth orës 07.00 shoqëruam në ambientet e Drejtorisë së Policisë dhe u thirrën për t’u marrë në pyetje disa persona, që kishin dijeni për ngjarjen. Gjatë kohës kur po vazhdonte pyetja e tyre, Avokati i Popullit, Dobjani dhe komisionarë të institucionit ndërhynë në mënyrë arbitrare në zyrat e Policisë”. Sipas policisë, ata përdorën arrogancë dhe ushtruan presion ndaj oficerëve, duke interferuar direkt në mosdokumentimin ligjor të veprës. Përsa i përket dhunës, policia e mohon që ndaj të riut të jetë ushtruar dhunë. Burimet zyrtare e sqaruan këtë moment se Avokati i Popullit morën në pyetje të gjithë personat, në lidhje me trajtimin e tyre gjatë shoqërimit. “Shtetasi E.A., sakaq ngriti pretendimin se është goditur me shpullë në ambientet e policisë nga disa oficerë policie. Ky pretendim mohohet kategorikisht nga ana e oficerëve tanë”, bëhet e ditur në deklaratën e policisë së Shkodrës.
Policia e Shkodrës padi penale në prok-urori Avokatit të Popullit, Emir Dobjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›