Kristi Popa: Turbo-folku e ka dëmtuar muzikën shqiptare, aq sa dhe 97 shtetin shqiptar
Kompozitori denoncon piraterinë dhe problemet muzikore në Shqipëri
Muzika shqiptare është në mes të kaosit dhe udhëkryqit, kështu u shpreh kompozitori Kristi Popa. Në një intervistë dhënë për gazetën ai flet mbi tendencat dhe rrymat e reja muzikore, të cilat janë të pranishme në tregun muzikor shqiptar. E ndërkohë, si të gjithë krijuesit dhe kompozitori Popa është ndeshur me fenomenin e piraterisë, e cila është quajtur si gangrena e pronës intelektuale në vendin tonë. Sipas tij edhe pse është folur dhe debatuar,
në tregun shqiptar vazhdon të jetë po e njëjta situatë, ku asgjë nuk ka ndryshuar. Ligji mbi të drejtën e autorit është vënë me kohë, por si gjithmonë jo të gjitha ligjet arrijnë të zbatohen në vendin tonë. Sipas kompozitorit është folur shumë për pronën intelektuale dhe fenomenin e piraterisë në vendin tonë, por duket se për të parandaluar këtë fenomen ende nga institucionet përkatëse masat e marra nuk janë të vlefshme për të dhënë sadopak rezultate ndaj këtij fenomeni.-Jeni një emër i njohur në muzikën shqiptare, ndërkohë si e shikoni sot krijimtarinë muzikore?Muzika shqiptare për mendimin tim është mes kaosit dhe udhëkryqit. Ka edhe krijimtari të mirë, por që për fat të keq nuk arrin që të jetë ajo mbizotëruese e stilit muzikor në Shqipëri. Ka shumë për të folur për këtë temë dhe mbase nuk mund të dalim në ndonjë përfundim, por e rëndësishme është që jemi të ndërgjegjshëm që muzika shqiptare është në kaos. -Sipas jush, si ndikojnë rrymat e reja muzikore në krijimtarinë shqiptare?Tendencat e reja vetëm mirë bëjnë, sepse krijojnë ekuilibrat e shijeve muzikore dhe sa më shumë të këtë publik që të pëlqejë tendencat aq më mirë do të jetë, sepse largohet gjithmonë e më shumë vëmendja nga turbo-folku që e ka mbërthyer fort për qafe muzikën dhe se lë të marrë frymë. -Nëse do të flisnim për tregun muzikor si e shikoni atë, çfarë sjell ai për publikun dhe a janë të gjitha ato që prezantohen me vlera artistike?Edhe tregu muzikor është komplet i kapur nga muzika jo me vlera të vërteta. I është nënshtruar tërësisht shitjes dhe fitimit nëpërmjet muzikës së rëndomtë dhe e ka lënë pas dore muzikën me vlerë dhe nuk e promovon atë aq sa duhet. -Do të donim një koment tuajin për rrymën turbo-folk, sipas jush sa e ka dëmtuar krijimtarinë shqiptare?Turbo-folku e ka dëmtuar muzikën shqiptare aq sa dhe 97 shtetin shqiptar. Është futur thellë në shtëpitë tona dhe kush e di se kur do dalë. Dëmi është psikologjik dhe vetëm pas 100 vjetësh do të mund të harrohet turbo-folku. -Publikut sot i ofrohen dhe shumë këngë që janë të kopjuara dhe i serviren si krijimtari shqiptare, si mendoni për këtë, sa faj kanë kompozitorët?Do të doja të bëja një apel për kompozitorët që shesin muzikë të kopjuar si autentike boll me ,u bë ça u bë ,hajde të bëjmë muzikë tamam. -Sipas jush çfarë duhet bërë që në tregun muzikor shqiptar të mos ketë kaq shumë këngë të kopjuara, cilat janë masat që duhen marrë?Kur të bëhet shteti i fortë besoj se ai do të ketë dhe mekanizmat e tij për të luftuar piraterinë. -Një mendim i juaji për tekstet e këngëve, çfarë mund të na thoni për fabulat e tyre?Vitet e fundit ka një vëmendje më të madhe për tekstin e këngëve. Mesa duket forca e fjalës është po aq e rëndësishme sa e muzikës dhe me raste edhe më e fortë. Ka shumë banalitete dhe varfëri fjalori, por ka edhe poezi të bukura që janë shumë të pakta për fat të keq. -Çfarë mendoni për këngëtarët dhe kompozitorët e rinj, si e gjykoni krijimtarinë e tyre?Kompozitorët e rinj i kam pasur gjithmonë me simpati. I vlerësoj për atë që janë dhe vetë vitet në krijimtari e sipër do tu tregojë rrugën e duhur për të bërë stil dhe për të qenë i suksesshëm. -Nëse do të vazhdojë që të abuzohet me krijimtarinë muzikore shqiptare, çfarë do të ndodhë sipas jush?Çfarë do që të ndodhë me muzikën shqiptare ne do jetojmë gjithsesi apokalipsi nuk do vijë nga muzika e e shkretë shqiptare (bëj shaka). Muzika do të vetë pastrohet pas 100 vjetësh. Unë kështu mendoj. -Nëse do të flisnim për të drejtën e autorit, sa zbatim gjen ajo sot në vendin tonë?Të drejtat e autorit nuk funksionojnë fare. Ky është një handikap i madh që i shtohet kaosit dhe udhëkryqit. Do të duhen vite edhe për funksionalitetit të kësaj çështjeje të rëndësishme për mbrojtjen e autorëve. -Ju vetë, jeni prekur nga pirateria?Patjetër që jam prekur dhe ndoshta mund të kem qenë i pari që e bëra aq publike vjedhjen e rëndë të autorësisë së këngës "egoist nga një turbo-folkas i rëndomtë (që sdua tia përmend emrin se boll reklamë i bëra atëherë. Kur ska shtet skemi ça bëjmë,do mbetemi vetëm në nivelin e vetdeklarimit. -Sipas jush, çfarë duhet të bëjnë organet shtetërore për ta parandaluar këtë fenomen?Shteti i vërtetë ka sisteme të posaçme që marrin masa. Kur ska shtet ska dhe masa. -Si erdhi bashkëpunimi me Kamela Islamin në festival?Me Kamelën ma krijoi mundësinë e bashkëpunimit, miku im Selim Ishmaku që gjej rastin ta falënderoj sërish. Kamela është këngëtare e mirë, që ta lehtëson punën. Kam mbetur shumë i kënaqur. -Jeni i kënaqur me vlerësimin e jurisë?Jam i kënaqur dhe i falënderoj që më dhuruan një çmim të rëndësishëm për karrierën time. -Mendimi juaj për natën e të rinjve në festival?Nata e të rinjve ka pasur shumë diskutime, por në përgjithësi mbetet për tu vlerësuar, sepse i bën shumë mirë festivalit se e rinon atë, e bën edhe më të diskutueshëm. Festivali kishte këngë të mira dhe për këtë duhet falënderuar stafi drejtues i festivalit me në krye Selim Ishmakun, të cilët kanë krijuar atë listë këngëtarësh dhe atë përzgjedhje me shumë shije. -Në vendin tonë zhvillohen shumë festivale, çfarë mendoni për vlerat e tyre artistike?Sa më shumë festivale të bëhen aq më mirë është, sepse e pastron muzikën. -Sa i takon krijimtarisë suaj mund të na zbuloni diçka për vitin 2010?Po punoj...Intervistoi: Julia Vrapi