Kristi Vangjeli drejt largimit nga Arisi
Kristi Vangjeli është një tjetër futbollist i përfaqësueses shqiptare që pritet të ndërrojë skuadër këtë sezon. Lajmin e ka pohuar vetë ai. Mbrojtësi kuqezi ka thënë se për shkak të hapësirave të pakta që pati vitin e kaluar dhe për shkak të një raporti jo fort të mirë me drejtuesit e ekipit, mund të largohet nga Arisi i Selanikut. Drejtuesit e klubit grek i kanë reduktuar rrogën futbollistit të Kombëtares shqiptare. Kjo për shkak se ai nuk cilësohet si një lojtar i rëndësishëm, por konsiderohet vetëm një rezervë. Burime pranë futbollistit kanë bërë të ditur se Vangjelit ia kanë ulur rrogën me 80 mijë euro dhe se kjo është arsyeja kryesore se përse kërkon që të largohet. Vangjeli ka edhe nja dy vite kontratë me klubin grek dhe paga vjetore e tij është 230 mijë euro në sezon, por për shkak të problemeve fizike, Vangjeli nuk ka mundur të jetë protagonist në radhët e Arisit.