E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, tragjedia mbyll përfundimisht “Love parade”



Tragjedia në “Love parade” të muzikës tekno në Duisburg të Gjermanisë, ku humbën jetën 19 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, ka detyruar organizatorët të mbyllin përfundimisht ciklin e festivalit tashmë tradicional në Gjemani. Organizatori Rainer Shaller tha se është i shokuar dhe “Në shenjë respekti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, ne nuk do ta vazhdojmë më këtë aktivitet. Kjo do të thotë fundi i ‘Love parade’”, tha Schaller. Ndërkohë prokuroria gjermane ka nisur zyrtarisht hetimet për të zbardhur saktësisht se çfarë ndodhi dhe pse pasi shkaqet janë ende të paqarta. Në “Love parade” kishte rreth një milion e gjysmë pjesëmarrës. Ata fajësuan organizatorët për tragjedinë, për faktin se që të gjithë të pranishmit duhet të kalonin nëpër një tunel për të dalë në fushën ku do të zhvillohej aktiviteti. Ka qenë pikërisht në këtë tunel, që u shtypën nga paniku 19 persona, mes të cilëve katër holandezë dhe një italiane. Ndërsa në qiell kishte helikopterë shpëtimi për të marrë njerëzit që nuk kishin mundur të dilnin nga tuneli, mijëra njerëz vazhdonin të kërcenin, pasi nuk kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Policia ka shtuar se 19 viktimat e moshës 20-40 vjeçare ishin ngjitur në një skelë, për t’iu afruar altoparlantëve dhe kishin rënë nga lart. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel u shprehu të afërmve të viktimave ngushëllimet e saj. Ndërsa Presidenti Kristian Vulf tha se shpresonte që të afërmit e të plagosurve të marrin shpejt ndihmë. Sipas DW, Kryeministrja e landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Hanelore Kraft, tha se i gjithë vendi mban zi për të rinjtë dhe të rejat që donin të festonin paqësisht dhe që humbën jetën gjatë dramës së tmerrshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›