E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas vendimit të GJNK-së, Beogradi në “kaos” politik



Situata politike në Serbi ka marrë një pamje “kaotike” pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për njohjen e ligjshmërisë së deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, një opinion që sipas analistëve u jep fund dyshimeve të mëtejshme për njohje të reja të saj. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë dhe të Presidentit, Boris Tadiç pas dështimit me Kosovën. Nga ana e saj, Qeveria e Serbisë i ka bërë kërkesë Parlamentit që të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të hënën, mbi deklarimin e ligjvënësve rreth opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës dhe mbi “aktivitetet e ardhshme në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial”. Ndërsa panorama në Kosovë është krejt tjetër. Optimizmi për njohje të reja është shtuar, madje janë “paracaktuar” edhe afate për anëtarësim në OKB, edhe pse Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, e kundërshton fort ekzistencën e Kosovës shtet. Sipas Presidentit, Fatmir Sejdiu, anëtarësimi në OKB mund të ndodhë vitin e ardhshëm. Nota të larta optimizmi janë shprehur nga Kryeministri, Hashim Thaçi. “Asnjë shtet i botës tani pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka arsye që mos ta njohë Pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga vizita në Uashington. Sipas tij, tani është hapur perspektiva euro-atlantike për Kosovën dhe pavarësisë së mbikëqyrur në mënyrë të suksesshme po i vjen fundi. Të dy palët kanë nisur fushatën për t’iu afruar më tej qëllimit. Ministria e Jashtme e Kosovës do t’u dërgojë letra më shumë se 120 shteteve të botës që nuk e kanë njohur Pavarësisë, duke u kërkuar që ta bëjnë këtë tani që GJND vërtetoi se Pavarësia e Kosovës ishte e ligjshme. Ndërsa Qeveria serbe, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të premten, vendosi të vazhdojnë betejën e saj diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ‘ruajtjen e Kosovës’. Beogradi konsideron se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk i është përgjigjur pyetjes kryesore që ka bëjë me atë që e cilëson si ‘shpallje të njëanshme të Pavarësisë së Kosovës’. Por Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Vecernje Novosti” është shprehur se vendimi i GJND-së, me të cilin pohohet se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, e ka vënë Serbinë në situatë shumë të vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›