E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm dy filma nga Shqipëria për “Dukufestin”



ALMA MILE

Një kërkim mes së shkuarës dhe së ardhmes, dëshirës për të “përfituar” edhe nga simbolet e diktaturës, si dhe një përpjekje për të “shkundur” prindërit e pasur për të ardhmen e fëmijëve të tyre, prezantojnë Shqipërinë në një festival dokumentar. Nga data 31 korrik deri në 7 gusht, zhvillohet në Prizren edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest 2010”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e kinemasë, në Kosovë. Janë rreth 156 filma nga 34 shtete, të selektuara nga mes 1300 filmave, të paraqitur në adresën e Dokufest-it. Ata do të konkurrojnë mes tyre në kategoritë për dokumentarin ndërkombëtar më të mirë, filmin ballkanik më të mirë, filmin e shkurtër më të mirë dhe garën nacionale. Ndërkohë, që pjesë e këtij edicioni është edhe Dokukids, ku do të prezantohen 45 filma në dy gara dhe dy programe speciale. Ndër 156 filmat në garë, është e dukshme pjesëmarrja e letë e filmave shqiptarë. Në listën e gjatë të filmave dhe autorëve mund të dallosh vetëm në kategorinë “Gara nacionale”, dy filma shqiptarw. Bëhet fjalë për filmin dokumentar të Donika Mustafajt: “Fëmijëri e mbajtur peng” dhe një bashkëpunim Kosovë-Shqipëri-Itali “Kërpudhat prej betoni” nga Elian Stefa, Gyler Mydyti. Në edicionet e shkuara, prezenca shqiptare ka qenë më e dukshme, ndërsa kësaj here, jo vetëm që numri është më i vogël, por edhe kategorizimi nuk i çon ata më larg se pellgu shqipfolës. Nuk dihet nëse ka qenë neglizhenca e kineastëve shqiptarë për të marrë pjesë në këtë ngjarje të filmit apo niveli i tyre.
Për sa u përket filmave pjesëmarrës, dokumentari i Mustafajt, i shfaqur në Tiranë disa muaj më parë, trajton një temë shumë delikate, një problematikë, e cila ekziston, ndonëse nuk trajtohet si e tillë. Bëhet fjalë për mënyrën se si po rriten fëmijët e klasës së pasur të shqiptarëve. Një fëmijëri e marrë peng mes përkujdesit të tepruar, plotësimit të të gjitha dëshirave, luksit, makinave dhe larg shoqërisë së moshatarëve të tjerë dhe lojërave në ajër të pastër. Ndërsa filmi i Elian Stefa, Gyler Mydytit, është një kërkim mes së kaluarës dhe së ardhmes. A është e mundur që bunkerët, të cilët dikur simbolizonin komunizmin në Shqipëri, të shndërrohen në pika turistike? Projekti “Këpurdhat nga betoni” është iniciativë e nisur nga dy studentë të Politeknikës në departamentin e Arkitekturës së peizazhit në Milano dhe ata kanë dëshmuar se një gjë e tillë është e mundur.
Festivali
Pjesë e edicionit të nëntë të “Dokufestit” do të jenë edhe retrospektivat kushtuar kineastëve të njohur, por edhe ekspozitat fotografike e ngjarje të tjera, të cilat pritet të tërheqin vëmendjen e një publiku të madh në numër, në qytetin e Prizrenit. Së pari, bëhet fjalë për retrospektivën e kineastit të njohur të ish-Jugosllavisë, Zhelimir Zhilnik, i cili rivjen para publikut me 11 filma, mes të cilëve edhe dokumentarët e shkurtër, që i përkasin karrierës së tij të hershme, pjesa e parë e trilogjisë “Kenedi kthehet në shtëpi”, si dhe filmi i fundit, “Shkolla e vjetër e Kapitalizmit”. Një tjetër retrospektivë është rezervuar për kineastin nga Filipinet, Khvan de la Cruz. Pjesë e këtij edicioni janë edhe “Spotlight Afghanistan”, “Cities on Speed” dhe “Europe Next Door”.
“Made in Finland” i dedikohet prodhimeve të fundit filmike të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër në Finlandë.
Për këtë vit, përveç çmimeve për çdo kategori në garë, “DokuFest-i” do të ndajë edhe tri çmime të tjera. çmimi i publikut, i cili do të ndahet në bazë të votave të vizitorëve të festivalit, qw cilët do t’i vlerësojnë filmat pas shfaqjes së tyre. Filmat e gjatë dhe të shkurtër, që janë në garë si dhe filmat nga seksioni “View From The World” kanë të drejtë për të garuar për ccmimin e publikut. çmimi për të drejtat e njeriut do t’i ndahet filmit dokumentar, i cili i referohet temave që lidhen me të drejtat e njeriut. çmimi për të porsaardhurin më të mirë (Best Newcomer Award) do të ndahet për filmin e parë ose të dytë të një kineasti nga kategoria për dokumentarin ballkanik. Ky çmim është propozuar nga Qendra për Dokumentar Ballkanik në Sofje. Nuk do të mungojnë ekspozitat fotografike e aktivitete të tjera, që do të zhvillohen përgjatë një jave. Sipas programit të festivalit, filmat do të shfaqen dy herë në ditë në katër kinema, dy nga të cilat do të jenë nën qiell të hapur.

Një homazh për Fehmiun hap festivalin

Një homazh për aktorin e madh Bekim Fehmiu, do të hapë edicionin e nëntë të “Dokufest 2010”. Për të përkujtuar aktorin, i cili u nga jeta vetëm pak kohë më parë, “DokuFest”-i do të organizojë shfaqjen speciale të një prej filmave që e bëri atë të njohur në të gjithë botën. Bëhet fjalë për filmin “Mbledhësit e puplave”, me regji të Aleksandar Petroviæ, në të cilin Bekim Fehmiu luan rolin kryesor, atë të Beli Borës. Filmi do të shfaqet në 31 korrik në orën 22:15 në kinemanë mbi lumë, duke shënuar simbolikisht lidhjen që aktori i ndjerë kishte me qytetin e tij të fëmijërisë, Prizrenin dhe Lumbardhin. I lindur në Sarajevë mw 1936, Fehmiu konsiderohet si njëri ndër aktorët më të mirë shqiptarë. Krahas një karriere të bujshme në filmat vendorë dhe ndërkombëtarë, Fehmiu luajti në mbi 40 shfaqje teatrale. Ai ishte aktori i parë nga Europa Lindore,i cili arriti të ketë role kryesore në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë, përkrahë legjendave të kinemasë, sikur Dirk Bogarde, Ava Gardner, Claudia Cardinale, Robert Shaw dhe Olivia de Havilland.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›