E Diel, 1 Nëntor 2026

AC/DC, në vazhdën e trashëgimisë së rokut

Në një suitë tepër luksoze të hotelit "Peninsula" në Nju Jork, Brajën Xhonson, vokalisti kryesor i grupit AC/DC, këndon nën zë disa vargje të "Është një botë e mrekullueshme" teksa pozon përpara fotografit. Edhe pse njihet për këngët me ritme e ngjyra krejt të tjera, është në gjendje të këndojë me delikatesë edhe për pemët e gjelbra e trëndafilat e kuq.

Papritmas i ndërpret pasazhet e qeta dhe këndon një prej refreneve të këngëve të grupit. Pas kësaj qesh me gjithë shpirt. "Cila është ajo gjë jeshile që ecën mbrapsht me 100 milje në orë", pyet. Në dhomë vëllezërit Angus dhe Malkom Jang, kitaristët e kompleksit, nisin të qeshin bashkë me të. Pavarësisht moshës - Angus është 53, Malkolmi 55 dhe Xhonson 61 - pjesëtarët e AC/DC vazhdojnë të ruajnë atë shpirt që e ka shoqëruar grupin përgjatë gjithë karrierës.

Për fatin e mirë të adhuruesve, muzika e bandës nuk ka ndryshuar shumë gjithë këto kohë. AC/DC u është përmbajtur historikisht jo pa një lloj agresiviteti përbërësve thelbësorë të rokut: seks, alkool dhe rok end roll. Albumi i ri "Akulli i zi", i cili do të shitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm në vitrinat e supermarketeve "Wal-Mart", puna më e rëndësishme e këtyre 20 viteve të fundit, përbëhet i tëri nga ritme të ashpra e ajo lloj muzike që e ka veçuar nga të tjerët përgjatë gjithë këtyre viteve. Dhe pritet të jetë një prej sukseseve më të mëdha të kompleksit.

Gradualisht dhe pa tërhequr mbi vete shumë vëmendje nga media, AC/DC është kthyer në kompleksin rok aktiv me më shumë popullaritet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga viti 1991, kompleksi australian ka shitur më shumë se 26.4 milionë albume, duke pasur përpara vetëm "Beatles" dhe më shumë nga "Rolling Stones", apo "Led Zeppelin". Gjatë pesë viteve të fundit, kur shitjet e CD-ve kanë njohur veç rënie, albumet e AC/DC janë shitur si zakonisht, me të njëjtat ritme, madje edhe më mirë: kompleksi shiti më shumë se 1.3 milionë CD gjatë vitit të shkuar, megjithëse nuk ka prodhuar muzikë të re që nga viti 2000.

Me daljen e "Akullit të zi", i cili do të reklamohet më së shumti përmes një turi që do të nisë më 28 tetor, ka të ngjarë që shitjet e AC/DC të jenë më të larta se të çdo grupi të muzikës pop. Këtë e bën duke mos iu përmbajtur fare rregullave të tregut të sotëm muzikor. Kompleksi nuk shet muzikë për t‘u zbrazur nga interneti, nuk ka nxjerrë asnjëherë në treg ndonjë përmbledhje këngësh më të mira dhe nuk lejon muzikantët e tjerë të përpunojnë e të riprodhojnë këngët e tyre. U japin tifozëve vetëm një mundësi: ose muzikë sipas mënyrës sonë, ose fare.

"Kështu, të gjithë mund të rrinë shumë afër muzikës sonë", thotë Angus. Pa uniformën shkollore, me të cilën del në skenë, si edhe vëllai, duket shumë i shkurtër e i imët, vetëm 1 metër e 60 centimetra dhe 60 kilogramë. "Është po ajo që bën një piktor me punët e veta", shton. "Në rast se mendon se është një pikturë me vlerë, e mbron me të gjitha mënyrat. Është e njëjta gjë: kjo është vepra jonë".

Dhe duket se është pikërisht këmbëngulja për të shitur albume ajo që i ka mbajtur në nivele të larta komerciale. AC/DC tërheq më pak vëmendje se grupe të tjera të këtyre niveleve. Këngët e tyre luhen më pak nëpër televizione e radio nga ato të "Aerosmith". Pjesëtarët e grupit shfaqen rrallë në revistat e personazheve të rëndësishëm. Dhe kurrë nuk ka qenë i përkëdheluri i kritikës.

Angus është shumë i qartë lidhur me rrugën e zgjedhur nga grupi. "Njerëzit thonë se është muzikë për të rinj, por më falni", thotë duke nënvizuar fjalët e fundit. "Mendoja se roku duhet të jetë muzikë për të rinj. Ti bën atë lloj muzike që di të bësh. Ǒtë shkruaj, për Rembrandin"?

Angus Jang është biri i shtatë i një familjeje që emigroi nga Glaskou në Sidni, ku vëllai i tij më i madh u bë pjesë e grupit "Easybeats", grup roku i njohur me këngën "E premtja në mendjen time". Angusi dhe Malkolmi e themeluan kompleksin AC/DC në vitin 1973, kur qenë adoleshentë dhe nisën të fitonin famë veçanërisht kur me këshillën e së motrës, Angus nisi të dilte në skenë i veshur me uniformë shkollore.

"Në pjesën dërrmuese të kohës jam njeri tepër i qetë, por me të veshur uniformën kthehem në një tjetër njeri, pasi ajo arrin të më mbushë me një tjetër lloj besimi", tregon Angus lidhur me uniformën e nxënësit, me të cilën identifikohet nga mijëra e mijëra adhurues të kompleksit. "E kuptoj që muzika jonë tingëllon agresive, por nuk ka të bëjë fare me karakterin tim. Unë jam njeri shumë i qetë, vërtet".

Që nga albumi "Back in Black" kompleksi ra disi në hije në vitin 1985 me albumin "Fly on the Wall" për t‘u kthyer te suksesi i dikurshëm me "Razors Edge" në vitin 1990. E, megjithatë, albumet vazhdonin të shiteshin. "Nxënësit e shkollave të mesme vazhdonin të marroseshin pas muzikës së AC/DC, edhe pse kompleksi nuk nxirrte asgjë të re në treg", tregon një agjent shitjesh i shtëpisë diskografike "Columbia".

Dhe është pikërisht kjo shtëpi diskografike që ka marrë përsipër komercializimin e albumit "Akulli i zi". Në "Columbia" pritet shumë nga albumi, veçanërisht në çastin kur gjiganti i supermarketeve "Wal-Mart" ka blerë ekskluzivitetin e shitjes. Kënga e parë e albumit, "Treni i Rok en Rollit" është kënga më e transmetuar në kanalet radiofonike, që luajnë muzikë të vjetër.

Edhe pse kompleksi në vitet tetëdhjetë u vendos në qendër të kritikave të ashpra nga ana e grupeve religjioze për këngë si "Rruga drejt ferrit" (e cila flet kryesisht për jetën e vështirë të rrugës) shoqëria gjigante vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me të, duke qenë përgjegjëse për gjysmën e albumeve të shitura gjatë vitit të fundit.

"Po të kthehemi nja dy vite prapa, gjithçka në muzikë ishte kthyer në dixhitale, por gjithsesi njerëzit vazhdonin t‘i blinin albumet tona", thotë Angus. "Thoshin se që nga ai moment e më pas gjithçka do të bëhej dixhitale. Por u kthyen përsëri te ne kur pamë që po vazhdonim të ruanim pozita të shkëlqyera në treg: ‘Gjithsesi ju shisni po aq sa dikur‘. Kështu që nuk ka fare kuptim të nxitohemi e të ndryshojmë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›