Talentet shqiptarë në "sitën" e Josip Kuzhe
Vasil Shkurtaj është padyshim e reja më e madhe e trajnerit Josip Kuzhe, mes talenteve të shumtë që trajneri do të vëzhgojë në "zborin" tetëditor në Turqi. Sulmuesi 17-vjeçar hyn në këtë mënyrë në listën e atyre pak futbollistëve që në një moshë fare të re është bërë pjesë e "orbitës" kuqezi. Pasi debutoi me ekipin Shpresa pesë javë më parë, tashmë talenti i Olimpiakosit ka shansin që të shfaqë potencialin e tij edhe në sytë e teknikut të Kombëtares "A". Më 3 janar, Shkurtaj dhe 12 lojtarë të tjerë nën 21 vjeç do të paraqiten në Antalia për të zhvilluar tetë stërvitje me kontingjentin prej 20 elementesh që drejtuesi i stolit kuqezi ka përzgjedhur. Për t‘u theksuar është fakti se sulmuesi i Akademisë së një prej klubeve më të mëdha në Greqi, i cili është vlerësuar meksimalisht edhe nga trajneri Ziko, është njëri prej dy futbollistëve (së bashku me Emilian Vilën), që luajnë jashtë Shqipërisë.
Ashtu si "Shqip" ka anonçuar disa ditë përpara zyrtarizimit të listës, pjesa më e madhe e lojtarëve (85 për qind) të pranishëm në "zbor" janë elementë të përfaqësueses Under-21. Gjithçka bëhet në kuadër të rinovimit të Kombëtares për eliminatoret e Europianit 2012. Një tjetër objektiv është edhe dhënia e direktivave specifike për individët e veçantë, në mënyrë që ata të vazhdojnë rritjen si profesionistë dhe që një ditë të jenë kandidatë për një fanellë kuqezi. Në portë Kuzhe ka thirrur dy gardianë të talentuar: Shpëtim Moçkën dhe Sulejman Hoxhën, të cilët kanë lënë përshtypje të mira me Flamurtarin dhe Apoloninë gjatë këtij edicioni. Në mbrojtje, përveç Andi Lilës dhe Franc Veliut janë grumbulluar edhe Ditmar Bicaj, Olsi Gocaj, Klodian Samina e Maringlen Shoshi (që pak muaj më parë nuk e kishte bindur stafin teknik). Por, surpriza e vërtetë në repartin difensiv është Arjan Pisha. Kapiteni 32-vjeçar i Dinamos cilësohet si një zgjidhje në terma afatshkurtër për mbrojtjen, që shumë shpejt mund të përforcohet edhe me lojtarin e Bokumit në Gjermani, Mërgim Mavraj.
Në mesfushë nuk kishte si të mungonte Gentian Muça i Dinamos, një lojtar për të cilin Kuzhe e ka shprehur haptazi simpatinë. Vetëm një muaj më parë, në miqësoren me Estoninë, lojtari kishte shansin të debutonte me Kombëtaren, por problemet burokratike nuk e lejuan t‘i bashkohej skuadrës. Një risi është edhe grumbullimi i talentit të Laçit, Emilian Veliaj, që e ka bindur trajnerin me paraqitjet e tij në Superiore. Sabien Lilaj, Jetmir Sefa e Gjergji Muzaka të Tiranës, Emiljan Vila i NK Lokomotivës dhe Elis Bakaj i Dinamos plotësojnë këtë repart. Në sulm ka hapësira vetëm për të rinjtë: të cilët duhet të shfrytëzojnë faktin që Kapllani dhe Berisha nuk e kanë bindur plotësisht teknikun kroat. Jo më kot grumbullimi në Turqi shihet si mundësia e parë e madhe për Shkurtajn, Roshin, Balën e Çikalleshin.