Kristina: “NATO, dyert e hapura për këdo që përmbush kërkesat”
Autori i Lajmit: Red.
I ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Stiven Kristina, pohoi dje se NATO ka një politikë të dyerve të hapura për cilindo vend që përmbush kërkesat, por oferta në fund të fundit varet nga arritjet e vetë vendit që aspiron anëtarësimin. Sipas tij, vendet e A-3 po punojnë fort, si individualisht, ashtu edhe bashkërisht, për t u përgatitur për anëtarësimin eventual në NATO. “Koha e mbetur është e shkurtër për të përmbushur standardet e bazuara mbi arritjet që NATO vë në zbatim në lidhje me anëtarët perspektivë, por ne besojmë që mund të arrihet”, - u shpreh Kristina, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Këshillit Shqiptar të Atlantikut, që nisi punimet dje. Sipas tij, SHBA dhe aleatë të tjerë të NATO-s vazhdojnë t i mbështesin këta aspirantë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, duke mbështetur si reformat ushtarake ashtu edhe ato civile nëpërmjet trajnimit dhe pajisjeve. Kristina pohoi se NATO është një bashkësi vlerash të përbashkëta. Ajo luan një rol të rëndësishëm për promovimin e demokracisë dhe çuarjen përpara të paqes dhe sigurisë. Ai siguroi se NATO po punon bashkërisht si në Evropë, ashtu edhe në pjesën tjetër të botës për ta bërë këtë. “SHBA duan ta shohin NATO-n të thellojë kapacitetet e veta për operacionet e tanishme dhe të ardhshme, të ndërtojë pjesëmarrës të rinj, si dhe të jetë gati për t u ballafaquar me sfidat e shekullit 21. Anëtarët e Adriatik 3 tashmë kontribuojnë për përpjekjet e NATO-s. Ne e vlerësojmë kontributin individual dhe kolektiv të anëtarëve të A-3 për misionin më të rëndësishëm të NATO-s në Afganistan. Anëtarësimi në NATO për secilin vend në rajon është i rëndësishëm për stabilitetin. KFOR ka rëndësi integrale për sigurimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë”,- tha Kristina. I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, theksoi se anëtarësimi në NATO për aspiruesit e A-3 përbën një shtysë shtesë që vendet të kryejnë ndryshime. Sipas tij, ndryshimi do të kërkojë nga vendet adoptimin e reformave të nevojshme ekonomike dhe demokratike, përmirësimin e efektshmërisë ushtarake, aftësinë e qeverisë për t u përgjigjur, si dhe eficensë ekonomike, me pasoja pozitive për qytetarët e vet brenda vendit.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2007