E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Politika e jashtme në shërbim të integrimit”

Autori i Lajmit: S.T.

Politika e jashtme e Shqipërisë është, me të drejtë, një nga arritjet e saj të viteve të transformimit, sidomos në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. Kështu u shpreh presidenti Bamir Topi gjatë fjalës që mbajti në Institutin Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare “Egmont”. Duke u ndalur në politikën e jashtme të Shqipërisë, Kreu i Shtetit tha se në shërbim dhe në përmbushje të detyrimeve që vendi ynë ka në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian e në NATO, të harmonizuara me interesat kombëtare, Shqipëria ka dhënë shembullin e një politike për forcimin e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon, duke nxitur një klimë besimi reciprok nëpërmjet zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, politike e kulturore me të gjitha vendet e rajonit. “Më vjen mirë të përmend se prej vitesh, politika e jashtme e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj këtij vlerësimi dhe ka përforcuar filozofinë perëndimore për bashkëpunim, stabilitet dhe përparim. Ajo e sheh këtë filozofi si një shtysë edhe më të madhe në afrimin më të shpejtë të anëtarësimit të saj euroatlantik”, - tha Topi. Sipas Presidentit, në kuadër të veprimtarive të NATO-s, si dhe të nismave dhe organizatave të tjera rajonale, Shqipëria ka zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët në shumë çështje me interes të përbashkët.

Ky lajm është publikuar: 20/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›