Pensionet, përfitimet për rritjen e re
Autori i Lajmit: M.P.Me rritjen e re të pensioneve, të parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2008, të gjithë pensionistët do të përfitojnë një rritje mesatare prej rreth 900 lekësh në muaj. Sipas projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, në qershor pensionet e fshatit do të rriten me 15 për qind, ndërsa të qytetit me 10 për qind. Pas bërjes publike të rritjes së re, që do të përfitojë kjo kategori, burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se kjo shtesë do të vijojë sipas një skeme tashmë përcaktuar nga ekspertët e saj.
Burime nga MF-ja bëjnë të ditur se në rritjen e re të pensioneve do të përfshihen pensionistë që marrin pension pleqërie, familjar dhe invaliditeti, si në qytet ashtu dhe në fshat. Sipas skemës së re të rritjes, për vitin e ardhshëm pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind ose në masën 865 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 11275 lekë. Ndërkohë mësohet se edhe kjo rritje nuk do të cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Sipas Ministrisë së Financave, të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2008 do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë.
Rritja
Sipas kësaj skeme rritjeje, pritet të ndiqet edhe për pensionet e fshatit. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 15 për qind. E përkthyer në vlerë monetare do të thotë një rritje prej 675 lekë në muaj, duke filluar nga qershori i vitit të ardhshëm. Kështu, pas kësaj rritjeje pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 5195 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 5410 lekë në 6085 lekë në muaj. Në krahasim me rritjen e aplikuara gjatë këtyre viteve, pensionet e qytetit do të rriten me shumë. Ky hap është marrë për të minimizuar efektet negative nga rritja e çmimeve. Në korrik të këtij viti, pensionistët përfituan një rritje në masën 5 për qind për pensionet e plota të qytetit si dhe 10 për qind për pensionet e plota të fshatit. Ndërkohë, që për vitin e ardhshëm do të ketë një përllogaritje sipas kategorive, ku do të merret në konsideratë edhe inflacioni. Rritja e pensioneve për vitin që vjen ka si qëllim që t i jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara. Skema e pensioneve pas reformës së këtij viti ka tashmë një hierarki brenda saj. Çdo vit pensionet e fshatit rriten më shumë se ato të qytetit. E gjitha kjo bëhet me qëllim që në të ardhmen të arrihet të barazohet niveli i këtyre dy kategorive pensionistësh. Tashme pritet që diskutimet, lidhur me shtesat në projektbuxhet të kalojnë për shqyrtim në Kuvend, për të vijuar më pas edhe me vënien në zbatim të tij me shtesat konkrete për çdo kategori.
Rritja e re sipas kategorive:
Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
8650 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 10410 lekë
Bëhet
9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë
Të ardhura maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
17300 lekë + 350 + 150 = 17800 lekë
Bëhet
19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë
Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte
4520 + 200 + 690 = 5410 lekë
Bëhet
5195 + 200 + 690 = 6085 lekë
Ky lajm është publikuar: 20/10/2007