Shefer: Kryeni reformat për tu futur në NATO
Autori i Lajmit: Suela TopiSekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, deklaron se ftesat për në Aleancën e Atlantikut të Veriut bazohen në ecurinë e reformave të shteteve kandidate. Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s u bë pas një takimi që ai zhvilloi me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Shefer bëri thirrje që shumica dhe opozita të bashkëpunojnë për arritjen e anëtarësimit në NATO. Shefi i NATO-s shprehu nevojën që vendi ynë të kryejë reformat e duhura për sa i përket rregullimit të Kodit Zgjedhor dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Shefer bëri thirrje për klimë të shëndetshme politike në vend, pavarësisht se pozita dhe opozita mund të kenë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme. Sipas tij, jo vetëm bërja e ligjeve, por edhe zbatimi i tyre do të ndiqet me kujdes nga aleatët. Shefer përgëzoi vendin tonë për pjesëmarrjen në misionin e ISAF në Afganistan dhe për zërin moderues të Shqipërisë për sa i përket çëshjtes së statusit të Kosovës.
Shefer
“Biletat për hyrjen në NATO nuk janë ende gati. Duhet që Shqipëria të realizojë reforma të tjera, sepse ftesa për anëtarësim nuk vjen automatikisht, por bazohet në punën e bërë”, - është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin shqiptar, në Bruksel, Bamir Topi. Sipas shefit të NATO-s, jo vetëm bërja e reformave në sistemin ligjor dhe atë të drejtësisë, por edhe zbatimi i tyre do të ndiqet me kujdes, duke siguruar se NATO do të japë ndihmën e nevojshme Shqipërisë. Ndërkohë që Presidenti shqiptar, Bamir Topi, garantoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë dhe atë elektoral, duke u fokusuar tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Topi gjithashtu ka garantuar për rol moderator të Shqipërisë në rajon dhe pjesëmarrje aktive në bllokun antiterror. Presidenti shprehu optimizëm se Shqipëria do ta marrë ftesën për anëtarësim në 2008-ën, por sipas tij, sido që të jetë ftesa, institucionet shqiptare dhe vetë shqiptarët nuk do të reshtin së punuari për të plotësuar standardet që ky proces të realizohet, qoftë edhe në një datë tjetër. Ndërkohë Presidenti Topi, gjatë fjalës së mbajtur në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Bruksel pohoi se integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian mbeten dy përparësitë kombëtare për popullin shqiptar. Në fjalën e tij, Presidenti është përqendruar në procesin dhe ecurinë e reformave të rëndësishme për integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit i është përgjigjur edhe interesimit të pjesëmarrësve, lidhur me aspekte të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe me këndvështrimet e tij sa i përket së ardhmes integruese të vendit. Sipas tij, mbështetja e gjerë popullore që gëzon anëtarësimi i vendit tonë në NATO, është një tjetër shtysë, që politika në vend duhet të jetë totalisht e angazhuar, në mënyrë që, në Samitin e Bukureshtit, pritshmëria e njerëzve të bëhet një realitet. Presidenti tha se gjatë 15 vjetëve, vendi ka pasur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vënë në dispozicion të saj portet, aeroportet, territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. “Gjatë këtij procesi bashkëpunimi, ne shpesh kemi vepruar si anëtarë “de facto” të Aleancës. Në këtë frymë do të vijojmë dhe pas anëtarësimit “de jure në të”,- tha ai. Në vizitën e tij zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel të Belgjikës, Kryetari i Shtetit shoqërohet nga nënkryetarët e Kuvendit, Fatos Beja dhe Ylli Bufi.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2007