E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rënët në detyrë, përfitojnë edhe familjarët e ushtarakëve dhe SHISH-it

Dy forcat e mëdha politike kanë miratuar dje projektligjin në Komisionin e Sigurisë

Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord dje që t`u ofrojnë ndihmë familjeve të punonjësve të Forcave të Armatosura dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës. Dy forcat e mëdha politike kanë miratuar dje në Komisionin e Sigurisë që të shtojnë edhe punonjësit e SHISH-it dhe të Forcave të Armatosura në kategorinë e personave që përfitojnë. Projektligji “për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, është diskutuar dje në Komisionin e Sigurisë, duke pësuar ndryshimet për të përfshirë në këtë draft edhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Forcave të Armatosura. Ky projektligj parashikon dhënien familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, kur punonjësit kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, të një ndihme dhe trajtimin e tyre sipas dispozitave të ligjit. Në këtë projektligj është parashikuar që familjet e shtetasve apo punonjësve të strukturave të tjera shtetërore të përfitojnë në mënyrë të ngjashme çdo ndihmë dhe trajtim të parashikuar nga ky ligj për punonjësit e këtyre strukturave. Përfitimet janë parashikuar të vendosen në masën 100% të pagës, sa herë që paga, sipas të cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon. Për bashkëshorten dhe fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, në çastin e humbjes së jetës së punonjësit, është parashikuar të përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 200 mijë lekë. Për fëmijët e punonjësve që kanë humbur jetën në detyrë apo për shkak të saj, është parashikuar të përfitojnë pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në çastin e humbjes së jetës, derisa secili prej fëmijëve të ketë mbushur moshën 18 vjeç.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›