E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kristo refuzoi kreun e Kushtetueses”



ADI SHKEMBI

Këshilltari ligjor i Presidentit Bamir Topi, Spiro Peçi, tregon negociatat për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” ai i përgjigjet kritikëve të fushës, sipas të cilëve kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën, teksa ka shtyrë për në shtator zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate. Sipas Peçit, Topi ka nisur bisedimet që në fillim të muajit qershor, kur Vladimir Kristos i ka përfunduar mandati. Takimi i parë i kreut të shtetit ka qenë pikërisht me Kriston, të cilit i ka propozuar ta kandidojë sërish për kryetar, edhe për tre vjet të tjera, por ai nuk ka pranuar. “Presidenti nuk ka qëndruar në pritje të dekretimit të katër anëtarëve, të cilëve u ka mbaruar mandati, por gjithsesi ka filluar procedurën, e cila në momentin e duhur dhe që sipas të gjitha gjasave do të jetë shtatori, do të ketë të dekretuar edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, edhe anëtarët”, - thotë Peçi. Në të njëjtën kohë, ish-ministër i Drejtësisë dhe deputet i PBNJD-së, tani pjesë e kabinetit të Presidentit, Spiro Peçi tregon për herë të parë edhe tentativat e kreut të shtetit për të gjetur konsensusin e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për të votuar emrat që ai do të çonte në Parlament për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. “Propozimi ishte shumë konkret. Për Gjykatën Kushtetuese, dy grupeve parlamentare do t’u çohej një listë me 10 kandidatë nga ata gjyqtarë, të cilët kishin kërkuar të kandidonin dhe secila nga këto forca politike të hiqte nga lista dy anëtarë e të çoheshin gjashtë, të cilët do të votoheshin. Kjo tregon që Presidenti nuk ka pasur asnjë preferencë individuale, sepse në të kundërt, nuk do të dilte me këtë propozim. Ky propozim nuk u pranua nga PD-ja, ndërsa PS-ja ktheu përgjigje me vonesë dhe ishte në kushtet kur maxhoranca e kishte dhënë versionin e saj”.
Prej afro dy muajsh kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ka përfunduar mandati. Përse nxjerrja e dekretit është shtyrë për në shtator?
Ditët e fundit, në media është bërë një zhurmë për të ashtuquajturin “ngërç”, që është krijuar për mosdekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Deklaratat e ndryshme nga disa zëra që Presidenti i Republikës në mosdekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka bërë shkelje kushtetuese, është absurditet, nuk i përgjigjet realitetit ligjor, por as edhe procesit në të cilin efektivisht ndodhet procedura për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Dua të theksoj, se sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës duhet të dekretojë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, duke e përzgjedhur në një nga nëntë anëtarët e gjykatës Kushtetuese.
Zotit Kristo i ka përfunduar mandati në fillim të qershorit. Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte periudha që emri i kryetarit të ri duhej të dërgohej në Parlament...
Në realitetin e krijuar, ku efektivisht gati gjysmës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u ka mbaruar mandati dhe për shkak të ligjit vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e anëtarit të kësaj gjykate, Presidenti, që ditën që i ka mbaruar mandati kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Vladimir Kristo, e ka thirrur dhe i ka kërkuar mendimin nëse ishte i gatshëm ta dekretonte si kryetar. Zoti Kristo nuk e ka pranuar këtë propozim dhe në këto kushte Presidenti i Republikës ka vazhduar procesin e përzgjedhjes dhe konsultimet. Mund t’u them, se ka marrë takim dhe ka thirrur edhe dy prej anëtarëve, që janë aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Ajo që doja të bëja me dije është se Presidenti nuk ka qëndruar në pritje të dekretimit të katër anëtarëve, të cilëve u ka mbaruar mandati, por gjithsesi ka filluar procedurën, e cila në momentin e duhur dhe që sipas të gjitha gjasave do të jetë shtatori, do të ketë të dekretuar edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, po ashtu edhe anëtarët. Duhet të kemi parasysh në këtë rast, se nuk është vetëm në vullnetin e Presidentit që të zgjidhë problemin e kryetarit të Kushtetueses, por duhet të pranohet edhe nga kandidatët, që mendon Presidenti për t’u dekretuar.
Duke qenë se në Kuvend u krijua një situatë kur shumë dekrete të Presidentit u rrëzuan, a është e nevojshme që për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kreu i shtetit të konsultohet me partitë politike, në mënyrë që edhe ai të mos ketë fatin e dekreteve të fundit?
Presidenti, përpara dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë i është nënshtruar një procesi që është bërë transparent, publik, duke thirrur një grup ekspertësh, konsulentë për përcaktimin e disa kritereve përtej atyre ligjore, që përcakton Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Përveç kësaj, duke dashur të bëjë pjesë të procesit të përzgjedhjes, pa cenuar kompetencat e tij, Presidenti ka dalë me propozime konkrete për të dyja forcat politike, propozim, i cili synonte që të dyja forcat të kishin mundësi të kontribuonin në këtë proces. Propozimi ishte shumë konkret. Për Gjykatën Kushtetuese, dy grupeve parlamentare do t’u çohej një listë me 10 kandidatë nga ata gjyqtarë, të cilët kishin kërkuar të kandidonin dhe secila nga këto forca politike të hiqte nga lista dy anëtarë dhe të çoheshin gjashtë që do të votoheshin. Kjo tregon që Presidenti nuk ka pasur asnjë preferencë individuale, sepse në të kundërt nuk do të dilte me këtë propozim. Ky propozim nuk u pranua nga PD-ja, ndërsa PS-ja ktheu përgjigje me vonesë dhe ishte në kushtet kur maxhoranca e kishte dhënë versionin e saj. Tani Presidenti do t’i qëndrojë kritereve ligjore dhe atyre të përcaktuara nga grupi i ekspertëve, përderisa propozimi për njëlloj bashkëpunimi është konsumuar pa rezultat.
A ka hapësirë ligjore Presidenti për të parandaluar situatën e shfaqur muajt e fundit në Kuvend, ku disa dekrete të tij janë rrëzuar nga maxhoranca?
Kushtetuta e ka zgjidhur këtë rast. Presidenti dekreton anëtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e saj, por ky dekret nuk merr fuqi pa u shprehur Kuvendi. Pra, në fund të fundit Presidenti nuk ka ndonjë mjet tjetër ligjor të kundërshtojë mospranimin apo mosdhënien e pëlqimit nga Kuvendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›