Rama drekon me Harasanin, u kthye nga SHBA para një jave
Kreu socialist ka drekuar me një nga deputetët më oponentë ndaj tij në PS, Andis Harasani, i cili u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak ditë më parë. Mësohet se ka qenë një ftesë e Ramës, që të takohet dhe të drekojë me Harasanin, i cili i ishte përgjigjur menjëherë lajmërimit të kreut socialist Rama për të qenë prezent në seancën e ditës së enjte, kur maxhoranca kërkonte të miratonte ligjin e SHISH në Parlament. Harasani, por dhe deputetë të tjerë socialistë, si Fidel Ylli, Vangjel Tavo, Rudina Seseri, si dhe Tom Doshi, u kthyen menjëherë në Tiranë, pas lajmërimit të bërë nga kryetari socialist. Nuk bëhen të njohura temat e diskutuara mes Ramës dhe Harasanit gjatë drekës. Por ky takim bëhet në një kohë kur në forumet drejtuese të PS, Asamblenë Kombëtare, por dhe kryesinë e saj, pritet të bëhen rinovime, të largohen disa nga anëtarët e tyre dhe të hyjnë anëtarë e deputetë të rinj. Por dreka mes tyre është konsumuar dhe duke pasur në sfond zgjedhjet për Pushtetin Vendor në Tiranë, për bashkinë e saj dhe minibashkitë e kryeqytetit. Në zgjedhjet për Pushtetin Vendor në vitin 2007, Harasani ka qenë një mbështetje e madhe për Ramën në betejën e tij, për shkak dhe të mandatit të tij si deputet i kryeqytetit. Nuk dihet nëse Rama do të vazhdojë të njëjtën praktikë dhe me deputetët e tjerë oponentë ndaj rikandidimit të tij për kreun e PS, pas humbjes së zgjedhjeve, apo vijës radikale mes protestave dhe bojkotit të Parlamentit. Por ajo që vihet re në dy muajt e fundit, kur opozita ndodhet në Kuvend, është një klimë e përmirësuar në marrëdhëniet me deputetët që kanë kundërshtuar vijën politike të Ramës, si Blushi, Islami, Malaj, Bello dhe Harasani. Kritikat e tyre për shkelje të statutit nga ana e Ramës me rikandidimin e tij, në mënyrë të përsëritur nga ana e Ramës, por dhe drejtuesve të tjerë të PS, u cilësuan si të nxitura nga maxhoranca e djathtë për të dëmtuar PS.