E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhërs takon Topin: Asgjë s’ju ndal të ndërtoni Shqipërinë demokratike



Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhërs, zhvilloi dje takimin e lamtumirës me Presidentin Bamir Topi, në prag të largimit të tij nga Shqipëria. Takimi mes kreut të shtetit dhe diplomatit amerikan u zhvillua rreth orës 11:00 të paradites. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje në mesditë, se Topi ka vlerësuar punën e kreut të ambasadës amerikane në vendin tonë. “Do të mbetet i pazëvendësueshëm në kujtesën e popullit dhe institucioneve shqiptare për dashurinë, përkujdesjen dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci me një mendësi moderne, të shoqëruar edhe me kontributin e madh në përforcimin e urave të komunikimit dhe miqësisë tradicionale, që lidh dy popujt dhe vendet tona”, - ka deklaruar Presidenti Topi gjatë këtij takimi. Nga ana e tij, ambasadori amerikan, Uithers, e falenderoi kreun e shtetit shqiptar për gjithë ndihmesën dhe mbështetjen e pakursyer personale dhe institucionale, duke theksuar se po largohet nga vendi ynë me kujtimet më të mira për këtë periudhë më tepër se trevjeçare dhe me bindjen se asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar, i cili me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë, të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Xhon Uidhërs, largohet pas pak ditësh nga Shqipëria, pasi i ka përfunduar mandati trevjeçar. Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë mjaft aktiv në zgjidhjen e “ngërçeve” politike, që kanë kapur partitë në vend, veçanërisht pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›