E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: “Në protestë të gjithë ata që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme”



Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se LSI-ja nuk do të tërhiqet asnjëherë nga misioni i saj për të mbrojtur votat e shqiptarëve nga manipulimet dhe pazaret e bëra midis kreut të PS-së dhe kreut të PD-së me Kushtetutën dhe Kodin e ri Zgjedhor. Vasili tha se protesta e sotme madhështore, që do të organizojë LSI-ja, lidhet pikërisht me mesazhin se vota është e shenjtë dhe askush nuk duhet të guxojë ta prekë atë. “Bazuar në këtë mision të madh dhe mbi këtë qartësi të mesazhit tonë, që lidhet dhe qëndron vetëm e vetëm te shenjtëria e votës dhe ai slogan tashmë popullor dhe familjar për të gjithë, pra që vota është e shenjtë dhe vota është demokraci, janë motivet dhe arsyet e mëdha që ne të kulmojmë në këtë aksion politik tonën në një kulm tjetër të manifestimit paqësor, demokratike domethënës, pra ditën e enjte, në sheshin “Skënderbej”, në orën 4 pasdite, ku mijëra e mijëra qytetarë, në mënyrë shembullore paqësore, ashtu si demonstruan si asnjëherë tjetër në historinë e pluralizmit, duke shënuar edhe në këtë çështje një standard të ri të demonstrimit demokratik dhe paqësor, pra mijëra e mijëra njerëz do të manifestojnë pikërisht nën moton, vota është e shenjtë”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së theksoi se në protestën e sotme janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, por që ndajnë shqetësimin për të garantuar dhe mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Ky manifestim i hapur për të gjithë qytetarët, të cilët i bashkon i njëjti shqetësim, pra që vota e tyre të numërohet ashtu siç e hedhin, është një shqetësim që i bashkon në këtë shesh, sepse vullneti i tyre mund të realizohet vetëm nëpërmjet votës së numëruar në mënyrë të ndershme. Në këtë shesh ka vend për çdo qytetar që i përket çdo lloj partie politike, sipas preferencës, por edhe për ata që po luftojnë për të mundur indiferentizmin e tyre dhe që e shikojnë Shqipërinë si atdheun e tyre të natyrshëm për të ndërtuar jetën e tyre”, - tha Vasili.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›