E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet projektligji, policët në burgje pa armë dhe shkopinj gome



Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar dje projektligjin e ri të Policisë së Burgjeve, duke rrëzuar poshtë vetëm një nga kërkesat e organit të interesuar. Shefi i Policisë së Burgjeve i ka kërkuar këtij komisioni t’i japë mundësinë disa prej oficerëve të Policisë së Burgjeve atributin e një oficeri të Policisë Gjyqësore për kryerjen e hetimeve në momentin që ndodh një ngjarje brenda ambienteve të burgut. Ai ka sjellë si fakt vonesën e Policisë së Rendit dhe Prokurorisë në dy ngjarjet e fundit problematike në burg, në Burrel dhe Fushë-Krujë. “Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë ardhur me shumë vonesë në rastin e Fushë-Krujës, ku të dënuarit ishin në revoltë, ndërsa Prokuroria ka ndërhyrë pas dy-tri ditësh”, - u shpreh drejtori i Policisë së Burgjeve, Shpëtim Baci. I gjithë komisioni ka qenë kundër kësaj kërkese. Në projektligjin e ri është rregulluar çështja e armëve në burg, pas vërejtjeve të fundit të organizmave ndërkombëtare. Tashmë asnjë polici nuk i lejohet të mbajë armë vdekjeprurëse brenda ambienteve të burgut. Personeli armatoset vetëm në rast të operacioneve të jashtëzakonshme. Ndërkohë që nuk lejohet as shkopi i gomës brenda perimetrit të burgut dhe se armët për këtë polici do të përcaktohen nga vendimet e qeverisë. Përsa i përket përdorimit të forcës, në një nen të veçantë thuhet se ushtrohet forcë vetëm në momentin e një tentative arratisjeje apo në rast të vetëmbrojtjes.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›