E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “Qeveria, presion financiar ndaj OJF-ve”



Ligji i ri për taksimin me TVSH 20% të aktivitetit dhe të granteve që marrin Organizatat Jofitimprurëse (OJF-të) në Shqipëri, është një kërcënim real për mbijetesën dhe mirëfunksionimin e shoqërisë civile si një pol mjaft i rëndësishëm në jetën publike të vendit. Në këtë përfundim dolën përfaqësues të dhjetëra OJF-ve dhe shoqatave të ndryshme në një dëgjesë të organizuar dje nga G99-a. Kreu i G99-s, Erion Veliaj, tha se një aspekt mjaft shqetësues është se shteti po takson edhe aktivitetin humanitar të organizatave. “Nëse një shoqatë sjell këtu aparate mjekësore për një spital fëmijësh, ajo tashmë detyrohet të paguajë taksë mbi to, ndërkohë që është thjesht një ndërmjetës dhe nuk ka parashikuar para për të paguar kosto ekstra. Evazioni fiskal nga ana e disa organizatave të pandershme nuk mund të luftohet duke dënuar në mënyrë kolektive gjithë sektorin e shoqërisë civile. Kjo qeveri e ka bërë zakon dënimet absurde kolektive. Për të ndaluar trafikun ka zbatuar moratoriumin dënues të skafeve dhe ndoshta për të ndaluar vrasjet do të ndalojë dhe shitjen e thikave. Qeveria e ardhshme duhet të rikonceptojë të gjithë marrëdhënien me shoqërinë civile. Ndërkohë, të gjithë aktorët, pa paragjykime, duhet të angazhohen në lobing në Parlament për të ndaluar këtë dëm që po i bëhet sektorit të shoqërisë civile”, - përfundoi Veliaj.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›