Kriteret e pranimit në masterin e studimeve evropiane
Nisin aplikimet për Master të Nivelit të dytë në Studime Evropiane. Ky program do të ndiqet në Institutin e Studimeve Evropiane të UT-së në profile. Ato janë përkatësisht Legjislacioni dhe Institucionet Evropiane, Politika dhe Qeverisja në Evropë dhe Diplomacia dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të BE-së.Rektorati i UT ka publikuar edhe kriteret e pranimit në këtë master. Kështu kandidatët që aplikojnë duhet të zotërojnë një diplomë universitare DND ose DNID, të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit, (ekuivalentuar nga MASH) në një nga fushat: shkenca sociale, jurisprudencë, ekonomi, histori, filologji. Gjithashtu ata duhet të kenë notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart, si dhe të zotërojnë gjuhën angleze [diplomë e UT, TOEFL 550/213 pikë, IELTS (International English Language Testing System) 6.5, CPE- Cambridge Certificate of Proficiency in English “C”, CAE- Cambridge Certificate of Advanced English “C”]. “Preferohet zotërimi edhe i një tjetër gjuhe perëndimore. Gjithashtu kërkohet që kandidatët të jenë të rekomanduar nga dy persona që i njohin aftësitë akademike, profesionale dhe kërkimore të kandidatit. Njëri nga rekomanduesit duhet të zotërojë një titull ose gradë shkencore të një institucioni të arsimit të lartë”, thuhet në deklaratën e UT. Sipas kritereve, aplikantët duhet të kenë lejen për vazhdimin e studimeve nga titullari i institucionit ku punojnë, (n.q.s janë të punësuar).Sa i përket dosjes me dokumente, ajo duhet të përmbajë formularin e plotësuar të aplikimit, certifikatë lindjeje me fotografi ose fotokopje e noteruar e letërnjoftimit elektronik, biografi profesionale, fotokopje e noteruar e diplomës universitare e shoqëruar me listën e notave. Gjithashtu është e domosdoshme fotokopje e noteruar e diplomave ose e certifikatave të kurseve të kryera për kualifikime të ndryshme pasuniversitare dhe fotokopja e noteruar e dëshmisë së zotërimit të gjuhës angleze dhe dëshmi e provimit e lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës, TOEFL ose Cambridge IELTS, CPE, CAE).