E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, datat kur do ndahet shpërblimi 2500 lekë

 Nga sot, pensionistët mund të tërheqin shpërblimin e fundvitit prej 2500 lekësh në zyrat e postës. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ka publikuar dje grafikun me datat në të cilat do të shpërndahet shpërblimi. “ISSH në bashkëpunim me postën shqiptare, duke filluar që nga dita e nesërme 22 dhjetor, deri në datën 30 dhjetor do të fillojë shpërndarjen e këtij shpërblimi në mënyrë që të jetë në dispozicion të pensionistëve përpara festave të fundvitit. Parimi i punës do të jetë i njëjtë me vitin e mëparshëm”, theksoi drejtoresha e ISSH, Evelina Koldashi. Duke qenë se gjatë 20 ditëve të para të këtij muaji pensionistët e kanë tërhequr paratë e pensionit normal, atëherë ISSH ka organizuar një grafik për ndarjen e shpërblimit 2500 lekë. Sipas grafikut, pensionistët që kanë marrë pensionin më datë 1 dhe 2 dhjetor, duhet të paraqiten pranë zyrave të ndarjes së pensioneve më datën 22 dhjetor (sot), pas orës 13:00 deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Pensionistët që kanë marrë pensionin më datë 3 dhe 4 dhjetor, duhet të paraqiten në zyrat e ndarjes së pensioneve më datë 23 dhjetor, për të marrë shpërblimin, edhe këta pas orës 13:00 deri në orën 20:00. Dhe kështu me radhë për të gjitha datat e kaluara të ndarjes së pensionit deri më datën 22 dhjetor. Sipas grafikut të ISSH, parashikohet që ndarja e shpërblimeve të përfundojë deri më datë 30 dhjetor. Sidoqoftë, ata që nuk arrijnë për kushte të ndryshme të vetat, të marrin shpërblimin në datat dhe oraret e caktuara, mund të shkojnë në zyrat e ndarjes së pensioneve edhe më datë 30 dhe 31 dhjetor. Shpërblimi mund të tërhiqet edhe gjatë janarit. Sipas ISSH, nga ky vendim do të përfitojnë rreth 555 mijë pensionistë. “Vendimi i qeverisë përfshin personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçme. Gjithashtu, në këtë vendim, përfshihen veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur nuk përfitojnë pension tjetër, trajtime të veçanta si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake, si dhe ish-ushtarakët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”, theksohet në njoftimin e ISSH. Efekti financiar vetëm për shpërblimin e pensionistëve arrin në shifrën 1.387.200 000 lekë, ose mbi 15 milionë dollarë. “Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson edhe njëherë se asnjë prej pensionistëve nuk duhet të shqetësohet nëse nuk do të arrijë të tërheqë shpërblimin brenda këtyre datave, pasi do të mund të marrë edhe pas vitit të ri shpërblimin e përcaktuar nga qeveria, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e shkuara”.Grafiku i ndarjes së shpërblimeve• Pensionistët që marrin pensionin më 22 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 1 dhe 2 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 23 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 3 dhe 4 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 24 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 5 dhe 6 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 25 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 7 dhe 8 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 26 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 9, 10 dhe 11 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 27 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 12, 13 dhe 14 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 28 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 15, 16 dhe 17 dhjetor• Pensionistët që marrin pensionin më 29 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më datat 18, 19 dhe 20 dhjetor• 30 dhjetor, pensionistët që marrin pensionin më 20 dhjetor dhe ata që e kanë marrë më data 21 dhjetor, si dhe ata që nuk kanë mundur t’i tërheqin brenda datave të caktuara në këtë kalendarMë datë 31 dhjetor ata që nuk kanë mundur t’i tërheqin brenda datave të caktuara në këtë kalendarSipas këtij grafiku, pensionistët do të marrin nga ora 08.00 e deri në orën 13.00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 13.00 e deri në orën 20.00, do të jepet shpërblimi për ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›