Grumbullimi i të ardhurave, Tatimet më keq se në vitin 2009
Administrata tatimore nuk po mundet të dalë nga kriza e mosrealizimit të planit të të ardhurave. Edhe pse nuk mungojnë masat e marra, mbledhjet e vazhdueshme, mbledhja me forcë e taksave etj., sërish nuk ka sukses, madje as për të qëndruar në nivelet e një viti më parë, kur vendi po përjetonte panikun e krizës ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për periudhën janar-korrik 2010, pra 7-mujor, ku rezulton se në total administrata ka mundur të realizojë rreth 93 për qind të planit, me një diferencë në vlerë afërsisht minus 10 milionë euro më pak në buxhet. Krahasuar me një vit më parë, tatimet janë 1 për qind më pak me realizimin, që do të thotë se situata vijon të jetë më negative sa pritej, pavarësisht ndryshimeve në strukturën drejtuese. Pothuajse të gjitha taksat rezultojnë me humbje në planin e arkëtimeve, përfshi dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që konsiderohet shtylla kryesore e arkëtimeve. Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sqarojnë për gazetën se, aktualisht administrata po ecën me planin e vjetër të realizimit, dhe se i riu (rishikimi i buxhetit 2010) nuk ka mbërritur ende, kështu që shifrat u referohen parashikimeve të bëra para se të deklarohej zyrtarisht kriza ekonomike. Gjithsesi, duke i krahasuar me vitin e kaluar, sërish Tatimet nuk do të mund të rezultonin me sukses edhe me planin e ri, që parashikon rreth 250 milionë euro më pak. Jo vetëm periudha 7-mujore, por edhe korriku paraqitet me humbje në mbledhjen e të ardhurave për llogari të buxhetit të shtetit. Nëse si 7-mujor, plani i realizimit të të ardhurave në total ishte 93 për qind, për muajin korrik paraqitet rreth 96 për qind. Të gjitha taksat rezultojnë me plan negativ, si TVSH-ja me 96 për qind apo akciza me 96 për qind. Më keq paraqitet taksa tjetër, Tatimi mbi Fitimi, e cila në periudhën janar-korrik 2010, del me realizimin 89 për qind, kurse vetëm në muajin korrik 88 për qind, krahasuar me planin e vendosur nga MF-ja. Edhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP), taksa që trefishoi të ardhurat në buxhet për tre vite rresht, nuk ka mundur të dalë me sukses, pasi të dhënat nga tatimet tregojnë se plani i realizimit nuk ka shkuar më shumë se 90 për qind, si 7-mujor, kurse në korrik, rezulton 3 për qind më e lartë. Të gjitha të dhënat janë mbi planin e vendosur nga ministria, para miratimit të shkurtimit të të ardhurave me 250 milionë euro.
BQE: Eurozona, po shënon rritje të jashtëzakonshme ekonomike
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, është treguar mjaft optimist me treguesit ekonomikë në rritje që po shfaqen në vendet e Eurozonës.
Sipas tij është një fakt i qartë që rritja në Eurozonë, referuar rezultateve të tremujorit të dytë, është e jashtëzakonshme dhe e vërtetë, që sipas tij, merr vlerësimin 'shumë mirë'.
Ndërsa për tremujorin e tretë të këtij viti, Trichet tha se rritja ekonomike do të jetë "më mirë se sa pritej". Gjithsesi, ai tha se e ardhmja nuk mund të parashikohet, prandaj vuri në dukje se me gjithë treguesit për mëkëmbje ekonomike, premisat janë për një frymëmarrje të thellë pas krizës në vendet e Eurozonës. Ndërkaq, ai e ka përjashtuar hipotezën e një recesioni të dytë në Eurozonë. Trichet tha gjithashtu se, “Këshilli i BQE ka vendosur për të ruajtur normën e referencës, e cila konsiderohet e përshtatshme për situatën aktuale ekonomike”. Sipas tij, “ne ende mendojmë se evoluimi i çmimit do të mbetet e moderuar në periudhën afatmesme”.
Kriza ekonomike, “Siemens” do të pushojë 2 mijë punonjës
Gjiganti industrial gjerman "Siemens" ka njoftuar se do të përjashtojë 2000 persona nga puna, në sektorin e teknologjisë informatike si pjesë e programit për zvogëlimin e shpenzimeve, i cili u prezantua në mars nga drejtuesit e kompanisë. Kompania dhe përfaqësuesit e punëtorëve arritën marrëveshje për implementimin e këtij vendimi në mënyrë të përgjegjshme sociale. Punëtorëve do t'u ofrohet shfuqizim vullnetar të marrëveshjeve në bazë të pensionimit të parakohshëm ose skadimit të marrëveshjes ekzistuese. Kompania punëtorëve u ofroi trajnime shtesë për vend tjetër të punës. Në fund të vitit 2009 kompania tha se, në mbarë botën në IT-ë kanë rreth 35000 të punësuar, prej të cilëve 10 mijë në Gjermani. "Siemens" vendosi që si pjesë e programit për rikonstruktimin, të përjashtojë 4200 punëtorë në mbarë botën.
Zhvillimi i ekonomisë, industrisë gjermane i nevojiten 36 mijë inxhinierë
Në Gjermani po zhvillohen debate se a duhet të importohen kuadro të huaja të specializuara në vend, pas trendëve pozitive ekonomike. Revista ekonomike gjermane "Kapital", shkruan se, brenda koalicionit qeveritar po zhvillohet debat se a duhet që shteti të importojnë fuqi punëtore të kualifikuar. Qëndrime kontradiktore kanë ministri i Ekonomisë nga radhët e liberalëve gjerman, Rajner Bruderle dhe kryeministri konservator i landit të Bavarisë, Horst Sehofer. Sehofer ka theksuar se në Gjermania ka tre milionë të papunë, të cilëve duhet t'i jepet shansi për punë dhe kualifikim. Ministri i Ekonomisë dhe një pjesë e madhe e analistëve gjerman kanë theksuar nevojën e ekspertëve të huaj, sidomos në fushën e inxhinierisë dhe sfera tjera. Sipas Dhomës Ekonomike Gjermane, tani për tani, janë të nevojshëm rreth 36 mijë inxhinierë që i nevojiten ekonomisë gjermane.
7 Gusht 2010