E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret për hapjen dhe mbylljen e spitaleve jo publike

08/03/2009  Qeveria vendos metodikën që duhet zbatuar për ofrimin e shërbimeve spitalore

Ministria e Shëndetësisë ka detyrën të inspektojë e të marrë masat përkatëse

Hapja dhe mbyllja e spitaleve jopublike do të mundësohet parmes kritereve të përcaktuara qartë në vendimin e marrë dje nga qeveria. Sipas këtij vendimi, personat juridikë që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shërbimit spitalor jopublik, përveç kërkesave të përcaktuara në ligjin “Për shërbimin spitalor” dhe në vendimeve përkatëse duhet të kenë parashikuar në aktin e themelimit dhe/ose në statut objektin e veprimtarisë për ofrimin e shërbimeve mjekësore, spitalore jopublike në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshjet për shërbimet shëndetësore transkufitare. Po ashtu institucionet spitalore jopublike të tyre duhet t’i kenë në harmonizim me planin spitalor shtetëror dhe vendor, të kenë një plan të shpërndarjes dhe ofrimit të shërbimeve të spitalit, i cili të përmbajë numrin dhe llojet e shërbimeve që do të ofrohen. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë është autoriteti që bën miratimin paraprak të ndërtimit të spitaleve përpara zhvillimit të procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit, duke vlerësuar kriteret e përgjithshme të licencimit të tyre. Vendimi i miratuar nga qeveria jep kriteret që lidhen drejtpërdrejt me mbylljen e një spitali. Kështu, ministri i Shëndetësisë shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij në rastet kur vërtetohet mosplotësimi i kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore sipas kritereve të përcaktuara në licencë, shkelja e ligjeve dhe e akteve nënligjore në fuqi, si dhe moszbatimi brenda kushteve dhe afateve të detyrave të lëna nga Ministria e Shëndetësisë për korrigjimin e shkeljeve. Gjithashtu një spital mund të mbyllet në rastet kur në të nuk ushtrohet veprimtari për një vit nga data e miratimit të licencës. Gjithsesi, personat që kanë mundësuar hapjen e një spitali dhe njoftohen për mbylljen e tij kanë të drejtë të bëjnë një ankimim kundër urdhrit të ministrit të Shëndetësisë për heqjen e licencës. Një hap i tillë mund të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative. Qeveria është shprehur qartë se spitalet publike që janë hapur para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdojnë të funksionojnë nuk i nënshtrohen zbatimit të këtij vendimi. Ministria e Shëndetësisë ka të drejtën dhe detyrën të inspektojë e të marrë masat përkatëse në çdo çast për të vërtetuar nëse subjekti gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka respektuar apo jo kriteret e përcaktuara në aktin e licencës dhe në legjislacionin në fuqi. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë ka të drejtë të verifikojë vërtetësinë e të dhënave të deklaruara dhe të dokumenteve të depozituara gjatë fazës së shqyrtimit të kërkesave për hapjen e spitaleve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›