E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret për kompensimin fizik

24/06/2011  Fatura e lartë financiare, kompensimi në natyrë përparësi në raport me kompensimin financiar

Ndarja sipas qarkut ku do të ketë truall dhe sipas vendimit më të hershëm në kohë

Kompensimi fizik për ish-pronarët do të ndjekë një proces të ngjashëm me atë të kompensimit financiar që bëhet prej gjashtë vitesh në Shqipëri. Planveprimi i qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi dhe do të nisë të zbatohet që këtë vit, parashikon mënyrën se si do të krijohet fondi fizik për kompensimin e tyre, si dhe kriteret që do të ndiqen për t’ua kthyer pronën të zotërve. Ky proces mund të nisë pas vitit 2018, pasi qeveria të ketë një pasqyrë të saktë të gjendjes së pronave shtetërore në dispozicion të kompensimit fizik.

Kriteret

Kriteret janë përcaktuar tashmë, edhe pse si proces ai pritet të nisë pasi të krijohet fondi fizik. Për shkak të faturës së lartë financiare që i kushton shteti dhënia e kompensimit financiar për ish-pronarët, planveprimi i qeverisë parashikon se më shumë përparësi do të ketë dhënia e kompensimit në natyrë, në mënyrë që të ulet fatura financiare. Kompensimi financiar i ish-pronarëve ka nisur që prej vitit 2005. “Kompensimi fizik në çdo formë do të jepet për subjektet duke marrë parasysh kriterin kronologjik dhe sipas zonave kadastrale, në të cilat fondi fizik i kompensimit është në dispozicion. Nëse ka fond fizik brenda qarkut ku ndodhet prona e kompensuar, kompensimi fizik do të jepet në këtë qark. Në të kundërt jashtë qarkut, por gjithsesi sa më afër qarkut ku ndodhet prona e kompensuar”, - theksohet në planveprimin e qeverisë.

Fondi fizik

Tashmë fondi fizik është pasuruar me mbi 71 000 ha pyje, mbi 17 000 ha tokë bujqësore e 100 objekte. Kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, është shprehur se ky institucion po administron dhe verifikon rregullisht situatën juridike të fondit të kompensimit fizik, i cili do të shërbejë për këtë qëllim. “Duke qenë se procesi i azhurnimit të këtij fondi është një proces dinamik, ai parashikohet të vazhdojë deri në vitin 2018, gjithnjë referuar planveprimit për të cilin po flasim. Për këto arsye edhe procesi i kompensimit fizik të subjekteve të shpronësuar është një proces, i cili referuar ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” do të vazhdojë të trajtohet nga AKKP paralelisht me mënyrat e tjera të parashikuara në ligj, sikundër edhe planveprimi parashikon dhe do të jetë gjithashtu i implementuar në skemën definitive të kompensimit që parashikohet të vihet në zbatim duke filluar nga viti 2013”,- thekson zoti Çefa. Kompensimi fizik i ish-pronarëve do të mund të fillojë menjëherë pas përfundimit të një sërë procesesh të tjera, si njohja dhe kthimi i pronës aty ku është e mundur, verifikimi i titujve të pronësisë, si dhe procesi i legalizimit.

Kompensimi financiar që prej 2005-ës

Kompensimi financiar i ish-pronarëve ka nisur që prej vitit 2005. Fondi për kompensimin në këtë vit ishte 200 milionë lekë dhe u shpërnda vetëm në Tiranë, pasi në atë kohë harta e vlerës së tokës ishte përfunduar vetëm për këtë qark. Në vitin 2006 fondi ishte 300 milionë lekë dhe u shpërnda në Tiranë dhe Kavajë. Në vitin 2007 fondi ishte 500 milionë lekë dhe shpërndarja e tij u shtri edhe për qarqet Berat, Korçë, Dibër, Kukës dhe qytetin e Vlorës. Duke filluar nga viti 2008 fondi ishte 500 milionë lekë dhe për herë të parë u shpërnda në të 12 qarqet e vendit. Në vitin 2009 fondi për kompensim kapi shifrën rekord prej 1,25 miliardë lekësh. Në këtë vit për herë të parë, fondit të vënë në dispozicion nga qeveria iu bashkua edhe një fond tjetër i krijuar nga të ardhurat nga privatizimet strategjike. Fondi i kompensimit për vitet 2010 dhe 2011 është 1 miliard lekë. Në vitin 2011, për herë të parë fondit të vënë në dispozicion nga qeveria iu bashkua edhe një fond tjetër i krijuar nga të ardhurat e vetë AKKP gjatë tjetërsimit të sipërfaqeve shtetërore për llogari të fondit të kompensimit financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›