Kritikat e Kodit, nuk shmang Dushkun
Pavarësisht se sistemi i ri zgjedhor nxit garën midis partive të të njëjtën koalicion, formulat e shpërndarjes së mandateve të sanksionuara në Kodin e ri Zgjedhor kanë bërë që Kodi të kritikohet nga specialistë dhe ekspertë të ndryshëm, pasi nuk eviton fenomenin e “Dushkut”, deformimin e votës dhe përfaqësimin real të partive në parlament. Nga përdorimi i këtyre dy formulave dëmtohen rëndë parti të tilla si LSI-ja apo LZHK-ja, të cilat, pavarësisht se mund të kenë një numër më të madh votash se partitë të rreshtuara në koalicionet e PS-së dhe PD-së, nuk përfitojnë mandate deputetësh. Ky kombinim i dy formulave dëmton rëndë partitë politike të vogla, që nuk janë pjesë e koalicioneve të mëdha, sepse mandatet e tyre përllogariten me formulën “D’Hondt”. Kjo do të thotë që numri minimal i votave për to për të nxjerrë një deputet është i lartë, ndërkohë që partive brenda koalicioneve u përllogariten mandatet sipas Sainte Laguë, ku numri minimal i nevojshëm për të nxjerrë një deputet është i ulët. Si pasojë e këtij kombinimi të qëllimshëm të dy formulave të ndryshme të numërimit, partitë e vogla që ngelen jashtë dy koalicioneve të mëdha janë të dizavantazhuar, pra nuk kanë shanse të barabarta garimi në zgjedhje.
4 koalicionet në zgjedhje
1-Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokrate e Re, Lëvizja e Legalitetit
2-Partia Socialiste, Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale
3-Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste ‘91
4-Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
13 Janar 2009