Ish-pronarët i kërkojnë Presidentit ligj të ri për pronat
Eljona Ballhysa
Përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të ish-pronarëve, “Pronësi me drejtësi” gjatë një takimi me Presidentin e Republikës Bamir Topi, kanë kërkuar miratimin e një ligji të ri për kthimin dhe kompensimin e pronës. Ata e kanë cilësuar të dështuar ligjin aktual, duke theksuar se ai nuk e realizon procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës private. Presidenti Topi, nga ana e tij, ka inkurajuar ish-pronarët që të mbajnë diskutimin për këtë çështje me institucionet e tjera. Ai bëri të qartë se institucioni i presidentit nuk është ligjbërës dhe se kjo është në dorën e partive politike, por garantoi se ai do të jetë garant i respektimit të Kushtetutës për këtë çështje. Kreu i shtetit tha se ende abuzohet me pronën private dhe është objekt korrupsioni. Sipas tij, dhënia e pronës vazhdon të konsiderohet si dhënia e një pushteti politik.
Ankesat
“Ligji 9235, i miratuar në vitin 2004 me konsensus politik, por jashtë vullnetit të ish-pronarëve, tashmë pas pesë vjetësh regjistron një bilanc negativ. Duke u mbështetur mbi kompensime dhe jo mbi kthimin e pronës, ai nuk plotësoi asnjë nga objektivat e tij”, - u shpreh në emër të shoqatës “Pronësi me drejtësi” sekretari i Përgjithshëm i saj, Agim Toro. Ai shtoi më tej se ligji është i dështuar dhe ka ardhur koha të hartohet një ligj i ri, që në themel të ketë kthimin fizik. “Çdo pronë që nuk kthehet transformohet menjëherë në një faturë financiare. Ne i kemi mundësitë dhe ekspertët, dhe me një vullnet politik ky problem mund të zgjidhet”, - është shprehur Toro. Më tej sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-pronarëve shtoi se mosfunksionimi i ligjit lidhet dhe me pengesat e shumta që i ka krijuar qeveria kësaj shtrese, duke i kërkuar mbi 20 dokumente, kostoja e të cilave është shumë e lartë. “Ligji ka dështuar pasi pronarëve iu krijuan qindra pengesa, duke iu kërkuar mbi 20 dokumente, me një kosto shumë të lartë. Ndërkohë që pengesa të pafundme iu vunë edhe përmes ligjeve të tjera, si ai i legalizimeve, të cilit iu dha përparësi mbi ligjin e kthimit të pronave”, - është shprehur Toro në tryezën e diskutimit, ku i pranishëm ishte dhe presidenti Topi. Në vijim të kritikave të tij për çështjen e pronës, Toro theksoi se “në një kohë që shteti nuk e ka ndërprerë asnjëherë tjetërsimin e pronës, por vazhdon t’i shesë ato, është për të ardhur keq që edhe ato interesa të ligjshme që u ka dhënë ish-pronarëve, nuk respektohen”. “Pronarët nuk kërkojnë as më shumë as më pak, por respektimin e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardet e BE-së, ku ne aspirojmë të futemi. Është e pafalshme që ne kemi denoncuar një korrupsion galopant me pronat, që kap miliarda euro dhe deri tani nuk shohim të bëhet luftë ndaj këtij korrupsioni. Nuk kemi asnjë anulim të vendimeve që janë në kundërshtim me ligjin”, - është shprehur Toro. Ai bëri të ditur se për të realizuar procesin e kompensimit të ish-pronarëve qeveria duhet të miratojë një fond prej 30 milionë eurosh. Sipas tyre, kjo shifër është përllogaritur nga vetë ekspertët e qeverisë, por nuk bëhet publike.
Sugjerimi
Presidenti Topi, nga ana e tij, u shpreh se debati për këtë çështje duhet të mbetet i hapur dhe të diskutohet dhe me institucione të tjera derisa të gjendet zgjidhja. “Është e drejta juaj të merrni kontakt me të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm të jetës institucionale. Unë marr përsipër të bëj vetëm inkurajimin e këtyre faktorëve, duke qenë gjithmonë pjesë e një aktiviteti konstant në funksion të kthimit legjitim të pronës, e cila kërkohet jo thjesht nga ju, por kërkohet edhe nga institucionet ndërkombëtare të së drejtës”, - është shprehur kreu i shtetit. Ai tha se nga informacionin zyrtare që disponon, ende abuzohet me pronën private. “Shumë informacione merren edhe nëpërmjet kanaleve të tjera, por unë marr në konsideratë informacionet zyrtare, që ka shumë probleme me pronat, ka abuzime, ka korrupsion, mjaft çështje janë në proces, shumë të tjera mund të jenë objekt i investigimit, i denoncimit, që janë objekti i institucioneve të tjera që konsiderohen institucione të drejtësisë, por ky është një moment shumë i rëndësishëm për t’i dhënë fund çështjes së tranzicionit te pronësia”, - është shprehur Topi, ndërsa theksoi se çështja e pronave në mjaft raste mbahet peng në funksion të zbatimit të ligjit. Përsa i përket kërkesës së pronarëve për hartimin e një ligji të ri, kreu i shtetit qartësoi se kjo është në dorën e partive politike. “Çështja nëse do të ketë ligj tjetër ose jo, nuk është një çështje që ka të bëjë me institucionin e presidentit. Ka të bëjë me vullnetin e partive, që krijojnë maxhorancë në Parlament për të bërë një ligj tjetër nëse ato e shohin të arsyeshme. Në këndvështrimin tim dhe nga informacionet që marr, ende abuzohet shumë me pronat”, - është shprehur Topi.
13 Janar 2009