Reduktime të ujit shkaku i problemeve teknike
Për shkak të disa problemeve teknike në sistemin e pompave në Fabrikën e ujit në Batllavë gjatë ditës së sotme do të ketë reduktime në disa lagje të Prishtinës, si dhe në gjithë Fushë Kosovën dhe qytetin e Obiliqit.
Kompania e Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina” njofton konsumatorët e saj se probleme me ujë të pijshëm do të kenë ato pjesë që furnizohen nga Fabrika për trajtimin e ujit Albanik (Liqeni i Batllavës).
“Nga ora 10.00, do të ketë çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë. Shkak i këtij çrregullimi të furnizimit me ujë të pijshëm, janë disa probleme të natyrës teknike, në sistemin e pompave në Fabrikën e ujit në Batllavë”, bëri të ditur zëdhënësja e KUR, Arieta Mjeku.
Zonat të cilat sot do përballen me reduktime të herëpashershme të furnizimit me ujë janë si vijon: lagja Dardania, Lakrishtia, qendra e qytetit të Prishtinës në tërësi, zona Industriale, si dhe e gjithë Fushë Kosova dhe qyteti i Obiliqit.
Mjeku tha se koha e reduktimeve të ujit të pijshëm në këto zona, do varet krejtësisht nga shpenzimi i ujit nga ana e qytetarëve, dhe se sanimi pritet të bëhet sot në orët e vona të mbrëmjes, pasi që ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar në riparimin e pompave.
Në këtë rast, Mjeku në emër të KUR “Prishtina” u ka kërkuar mirëkuptim banorëve të zonave të lartcekura, deri në rregullimin e problemeve teknike.