E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikohet Shqipëria

Kombëtarja shqiptare ka marrë kritika pas humbjes në shtëpi nga Islanda. Mediet në Tiranë, Shqipërinë e kanë quajtur ekip që nuk di të fitojë, derisa humbjen nga islandezët e kanë vlerësuar si të tmerrshme. Humbja nga islandezët tani i ka zbehur dukshëm gjasat e Shqipërisë për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin botëror 2014.

Një ditë pas humbjes 1:2 nga përfaqësuesja modeste e Islandës, Kombëtarja shqiptare është kritikuar për paraqitjen e bërë në ndeshjen e së premtes, e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit botëror.

Mediat në Tiranë ia kanë hedhur fajin të përzgjedhurve të trajnerit Gianni De Biasi për humbjen e pësuar në ‘Qemal Stafa’, përpara mijërave shikuesve që kishin shkuar t’i përkrahin.

Sipas këtyre medieve, mbrojtja dhe mesfusha nuk kanë qenë në nivel të detyrës duke bërë shumë gabime, në një fushë që ishte e përbaltur pas rrebeshit të shiut.

“Mesfusha në ditë të errët i hap rrugë Islandës”, ishte titulli i së përditshmes sportive shqiptare, Sporti Shqiptar. Kurse titulli i të përditshmes tjetër sportive, ‘Panorama Sport’, ishte “E tmerrshme, na mundi Islanda”.

Të thithë mendojnë se pas kësaj humbjeje, Shqipëria ka marrë një goditje të rëndë, pasi tanimë shpresa për kualifikim në ‘Brazili 2014’ duket e parealizuar.

Kjo humbje e papritur e ka lënë të zhgënjyer edhe vetë trajnerin e Kombëtares, Gianni De Biasin. “Besoj se luajtëm shumë më mirë sesa kundërshtari. Pësuam golin e parë pas një gabimi të mbrojtjes sonë. Faulli për golin e dytë erdhi në një moment kur ne kishim topin në zotërim”, ka thënë italiani.

“Megjithatë, treguam një futboll të mirë në fushë. Por më vjen keq, sepse ndoshta edhe kushtet e rënda të motit e kushtëzuan edhe këtë takim. Na vjen keq, sepse kishim gjithë javën që kishim folur për këto goditje standarde të kundërshtarit, që janë një pikë e fortë e tyre. Dhamë gjithçka në fushë, por ishte e pamundur që të arrinim të paktën të barazonim”, ka shtuar De Biasi.

Pas tri ndeshjeve të zhvilluara në Grupin E, Shqipëria renditet e katërta me tri pikë të tubuara sa ka edhe Qiproja e Sllovenia. Kjo e fundit do të jetë kundërshtar i Kombëtares, të martën në ‘Qemal Stafa’.

Lagerback lavdëron Shqipërinë

Në anën tjetër, trajneri i Islandës, Lasse Lagerback ka lavdëruar ekipin kuqezi, për të cilin tha se e ka shikuar edhe në ndeshjet e kaluara, por që i ka munguar fati të arrijë deri te fitorja.

“Ishte një fitore me shumë fat. Deri në momentin e shënimit të golit tonë, ndeshja ishte shumë e hapur dhe mund të fitonit ju, ashtu sikundër arritëm ne. Personalisht mendoj se keni një skuadër, e cila krijon volum loje, por nuk ka fat. Unë ju pashë edhe në ndeshjen ndaj Zvicrës, gjatë së cilës luajtët shumë mirë, gjuajtët disa herë në portë, por në fund fitoi Zvicra. E njëjta gjë edhe sot: ne shkuam tri herë te porta dhe bëmë dy gola, ndërsa ju… thjesht ishit të pafat”, tha Lagerbak, i cili mendon se lufta për dy vendet e para në Grupin E, mbeten të hapura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›