E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indonezi futboll me topa zjarri

Futbolli mbetet sporti më popullor në botë, disiplina që tërheq më shumë vëmendjen dhe garanton të ardhurat më të mëdha. Por, shpeshherë shfaqen tentativa nga më të ndryshmet për ta kaluar këtë sport në një nivel tjetër.

Nga Indonezia vjen një mënyrë e pazakontë e praktikimit të këtij sporti. Aftësitë e jashtëzakonshme apo magjitë me topin nuk janë kritere bazë. Mjafton guximi për të shkelmuar me këmbë zbathur një arrë kokosi të cilës i është vënë flaka.

Në Indonezi ky është një version mjaft popullor i futbollit, pasi kjo është një traditë e kultivuar në shumë kolegje islamike të fiseve Java. Në vend të topit përdoret një arrë kokosi, që ka pësuar një trajtim të veçantë, duke qëndruar për dy ditë e zhytur në vajguri.

Kjo është një tradite e lidhur me artet marciale indoneziane, ku lojtarët duhet të tregojnë guximin e tyre, së bashku me aftësitë sportive në ndeshjet pesë kundër pesë. Ndeshje të tilla me topa zjarri si kjo në një shkollë në Kediri zhvillohen vetëm pas ritualeve që zgjasin 21 ditë.

Organizatorët shpjegojnë se kjo mënyrë shërben për ti dhënë të rinjve rezistencë mendore dhe forcë shpirtërore. Gjithashtu, lojtarët luten përpara ndeshjeve që të mos digjen apo të mos dëmtohen, e madje disa prej tyre fusin duart në zjarr, për të qenë maksimalisht të përgatitur.

Ndeshjet zgjasin deri në 60 minuta, ndërsa aty përdoren deri në gjashtë arra kokosi të shndërruar në topa të zjarrtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›