E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikohet greva

Xhiroja e parë në Serie A, e paraparë të fillonte të shtunën, u anulua për shkak të grevës, ndërsa dështimi në arritjen e një marrëveshjeje mes Ligës italiane dhe Unionit të Futbollistëve Italianë është kritikuar ashpër nga mediet. Bojkoti përshkruhet si autogol dhe konsiderohet si mungesë respekti ndaj miliona tifozëve, ndërsa qarkullon brenga se ai do të vazhdojë edhe për xhirot e ardhshme. Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 11:47

Dështimi i Ligës italiane dhe i Unionit të Futbollistëve Italianë (AIC) për të shmangur grevën e këtij vikendi është kritikuar ashpër nga të përditshmet italiane të shtunën.

Siena ishte paraparë të priste Fiorentinën në ndeshjen që do të shënonte fillimin e sezonit të ri në Serie A të shtunën, por ky takim dhe çiftet e tjera të së dielës nuk do të zhvillohen, ndërsa ende nuk ka përgjigje se kur do të fillojë kampionati italian.

Njëra prej gazetave kryesore, Gazzetta dello Sport në ballinën e saj shkroi: “Grevë në futboll. Autogol”.

Në nëntitull shtoi: “Liga dhe futbollistët kanë dështuar të arrijnë marrëveshje. Nuk ka respekt për miliona tifozë”.

E përditshmja tjetër Il Messagero theksoi: “Futbolli ndalet. Përpjekjet e fundit për të shmangur grevën kanë dështuar. Tifozët janë të zemëruar”. Ballina e Corriere dello Sport mbante titullin: “Sot dhe nesër nuk do të ketë futboll në Serie A. Liga refuzon çfarëdo lloj marrëveshjeje”.

Gazeta me qendër në Torino, Tuttosport ngriti brengën se problemi do të vazhdojë edhe për xhiron e ardhshme në Serie A. Pas pushimit ndërkombëtar, ku Italia do të takohet me Ishujt Faro dhe Slloveninë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, xhiroja e dytë në Serie A është e caktuar për 11 shtator. Ballina e Tuttosport shkruante: “Nuk ka ndeshje në xhiron e parë. Serie A tani rrezikon shtyrje të tjera”.

Unioni i Futbollistëve (AIC) ka propozuar një marrëveshje të përkohshme për komplet sezonin, por Liga e refuzoi atë të premten pas paraqitjes nën një marrëveshje të përkohshme gjatë sezonit të kaluar. Kjo detyroi Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) të anulojë ndeshjet e xhiros së parë.

AIC nuk dëshiron që klubet të mundohen të detyrojnë futbollistët të largohen në vitin e fundit të kontratave të tyre dhe është e pakënaqur me trajnerët që detyrojnë futbollistët e padëshiruar të stërviten jashtë ekipit të parë. Klubet po ashtu kërkojnë nga futbollistët të paguajnë tatimin e ri të solidaritetit që u takon përfituesve të mëdhenj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›