Kritikohet memorandumi

Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit, ka bërë të ditur se memorandumin e arritur në mes dy ministrive përkatëse e kanë marrë nga ueb-faqja, duke i quajtur dy ministritë të papërgjegjshme.
Me gjithë parregullsitë e mënyrës së arritjes së këtij bashkëpunimi, Isufi ka theksuar se Komisioni do t’i paraqes vërejtjet dhe sugjerimet e veta, duke ua përcjell ministrive përkatëse dhe ato pastaj duhet ta bëjnë memorandumin në harmoni me ligjet në fuqi.
“Është pika 1.7, e cila thotë mbrojtje të infrastrukturës kritike (furnizuesve të ujit, telekomunikimeve etj.). Në memorandum kjo nënkupton, se mund të ketë edhe veprime tjera, të cilat mund të jenë jashtë kornizave ligjore, prandaj duhet të precizohen elementet kur futen në memorandum për t’i respektuar pastaj palët. Pika 1.8, kontroll në trafik (për veturat e FSK-së dhe mjeteve tjera). Kjo mjeteve tjera lenë mundësi të komunikimit, apo interpretimit të ndryshëm. Dhe pika 1.9 të ndihmojë në rekunicionin e terrenit në gjetjen e personave, apo mjeteve të kërkuara. Kjo pikë ka mangësi të interpretimeve të ndryshme, prandaj konsiderojmë se ministritë duhet ta shqyrtojnë dhe t’i bëjnë përmirësimet e duhura”, ka thënë ai.
Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ky memorandum në vend se të sillte një bashkëpunim të mirë në mes dy ministrive, ka sjellë një amulli dhe konfuzion në opinion, duke e quajtur këtë veprim si moskoordinim qeveritar mbi sistemin e sigurisë.
“Ky memorandum, duke ditur se memorandumet janë të parapara edhe me ligje mbi bashkëpunimin e ministrive në këtë rast, por ky memorandum arriti tashmë edhe për herë të dytë në Komisionin tonë dhe si i tillë një memorandum i shumë përfolur edhe nga mediat dhe konfuz për opinionin publik. Vlerësoj Edhe një herë, ne i japim vërejtjet tona si anëtarë të Komisionit, duke i mbështetur vërejtjet që i dha Kryetari i Komisionit, sepse pikërisht këto janë vërejtjet mbi të cilat ne kemi hasur, por zyrtarisht, ky memorandum nuk ka ardhur në Komision”, ka thënë ai.
Edhe anëtari tjetër i Komisionit, Fatmir Xhelili, nga PDK, ka kritikuar arritjen e memorandumit në mes dy ministrive në fjalë, duke thënë se memorandume të tilla kanë qenë traditë në kohën e UNMIK-ut dhe në tranzicion.
“Faktikisht memorandumet kanë qenë traditë në kohën e UNMIK-ut dhe në kohën e tranzicionit, dhe marrjes së kompetencave të instrumenteve të shteti tonë, për atë arsye se nuk ka qenë e mbuluar me ligjet adekuate për menaxhimin e situatave të tilla dhe për përgjegjësitë e instrumenteve që menaxhojnë. Ndërkaq sot i kemi ligjet në të cilat çdo mekanizëm i shtetit është i obliguar të punojë në bazë të atyre ligjeve”, ka thënë ai.
Ndërkaq Vjollca Krasniqi, nga LDK-ja, ka thënë se arritja e këtij memorandumi tregon qartë dis harmonin në mes të ministrive, kryeministrit, apo edhe zëvendëskryeministrit.
“Mendoj se këto dy ministri me kryeministrin, nuk kanë raporte të harmonizuara lidhur me arritjen e qëndrimeve të tilla. Dhe pajtohem me kolegun Selimi që thotë, se ka sjell një konfuzitet, një amulli dhe unë si anëtare e Komisionit nuk jam e sigurt se ky memorandum, a është në thonjëza i arritur, apo do të jetë një memorandum që ne sot do t’i japim mendimet tona, në mënyrë që të jetë më funksional. Ndaj mendoj se këtu ka një dis harmoni në mes të ministrive, kryeministrit, apo edhe zëvendëskryeministrit, për arritjen e një marrëveshje të tillë”, ka thënë ajo.
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, njëzëri ka vendosur që vërejtjet dhe sugjerimet e gjetura në këtë memorandum, t’i adresojë tek ministritë përkatëse dhe më pastaj kanë kërkuar që të dyja ministritë të dalin në dëgjim publik, që memorandumi të jetë sa më transparentë dhe i dobishëm për të gjithë. /kosovapress/