E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikohet vendimi i Danimarkës për suspendim të Shengenit

Nga Express më 12 maj 2011 në ora 12:50

Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Danimarkës për të suspenduar rregullat e Shengenit për qarkullim të lirë dhe pa kontroll, është kritikuar nga institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel, e po ashtu edhe nga deputetë të parlamentit Evropian.

Danimarka vendosi dje që të vendos kontrollet kufitare, tokësore, detare dhe në aeroporte me Gjermaninë dhe Suedinë, duke tentuar kështu që të mbrohet nga ardhja e azil-kërkuesve në këtë vend, kryesisht nga Tunizia dhe Libia.

Arsye që ka ndikuar në këtë vendim, sipas qeverisë daneze janë edhe problemet me të ardhurit nga Evropa Lindore.

Zyrtarët e Komisionit Evropian thanë se vendimi i njëanshëm për vendosjen e kontrolleve kufitare nga ana e Danimarkës është i papranueshëm. Komisionerja Evropiane për çështje të brendshme Cecilia Malmstrom ka ftuar që vendimet e tilla të evitohen.

Vendimi i Danimarkës është kritikuar rreptë edhe nga liberalët nga Parlamenti Evropian (PE). Kreu i këtij grupi në PE, President Guy Verhofstadt ka shprehur keqardhje ndaj vendimit dhe tha se kontrolli i kufijve të brendshëm të vendeve të BE-së nuk është mënyra adekuate për t’u mbrojtur nga të ardhurit-azilkërkues.

“Duhet që të ketë nga qasje e BE-së e përqendruar në forcimin e kufijve të jashtëm, dhe që të ruhen përfitimet nga lëvizja e lirë brenda zonës Shengen”, tha deputeti belg.

Franca dhe Italia janë ato që kanë nxitur brenda BE-së debat të rreptë se çfarë të bëhet për të mos lejuar ardhjen e emigrantëve nga vendet e Afrikës veriore, pas krizës në këtë zonë.

Sipas një propozimi të Komisionit Evropian, duhet të ketë forcim të kontrollit në kufijtë e jashtëm por vërja e kontrollit në kufijtë të brendshëm, do të duhej që të bëhej vetëm në raste krizash të mëdha kur do të rrezikohej siguria e BE-së dhe ajo e shteteve anëtare.

Aktualisht vendet e BE-së dhe Komisioni Evropian janë duke u konsultuar për masat që duhet ndërmarrë pas krizës në Afrikën veriore, e cila ka shkaktuar ardhjen të dhjetëra mijëra njerëzve në Itali, e të cilët kishin hyrë edhe në Francë, prej nga edhe janë dëbuar. (KosovaPress)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›