E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku ka mbetur Evropa?

Nga Express më 12 maj 2011 në ora 13:10

Madje edhe ato vende që deri dje shquheshin si vende model, tashmë po i dërgojnë Brukselit porosi të sikletshme, siç dëshmohet edhe nga Holanda dhe Finlanda, e cila sapo nënshkroi një kapitull të ri të pështjellimit kontinental. Finlandezët nuk njihen si ekstremistë. Por, befas, një parti e re populliste - “Finlandezët e Vërtetë” - arriti të renditet si forca e tretë politike në vend. Kjo parti, që është vështirë të mendohet se nuk do të bëjë pjesë në koalicionin e ardhshëm qeverisës, bart në vetvete elementë të përputhshme me popullizmin më të skajshëm të së djathtës ekstreme.

Sa e dobët është politikisht kjo Evropë! Nuk ka të krahasuar me namin që kanë lënë në histori perandoritë e ndryshme, që nga ajo romake tek ajo kineze, e duke kaluar edhe tek ajo amerikane. Faji padyshim i përket të shkuarës së saj. Evropa ka bashkëjetuar gjithmonë me konfliktet dhe historia e saj ka lënë vragë të thella. Periudha e artë e bashkimit qe mjaft e shkurtër, për t’i vënë kapak njëherë e mirë të gjitha kundërshtive të vjetra ndër shekuj.

Duke u orvatur që me të gjitha mënyrat të anashkalonin një trashëgimi të tillë, baballarët themelues të Evropës kanë dashur ta projektojnë TPE-në (e më pas BE-në) si një bllok njësh e të pandarë. Së paku, deri te Helmut Kohli, mbeti i vlefshëm rregulli i artë që sanksiononte barazinë e të gjithë shteteve anëtare, të mëdha a të vogla qofshin. Projekti historik i Evropës së bashkuar synonte të shfaqej si ngërthyes i pluralizmit dhe i të drejtave të barabarta.

Sidoqoftë, të gjitha diskutimet e përqendruara te çifti franko-gjerman dhe në themelin ‘karoling’ të këtij projekti, të mundësojnë të shquash nëpër të se në çfarë mase kjo Evropë e re është një ngrehinë, që ka hedhur shtat, duke nisur nga “qendra”. Shkaku kryesor i destabilitetit të Evropës është vetë këmbëngulja e përqendrimit të pushteteve që përfaqësohen sot prej Brukselit.

Ky është një konstatim që vlen për të gjitha vendet evropiane, veçanërisht ato që i përkasin “periferisë”, e që së fundmi nxori kokë edhe në Hungari. Nën mbikëqyrjen e partisë “Fidesz” të Viktor Orbanit, Budapesti ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në vend. Sapo vuri këmbë në klubin evropian, Hungaria zuri fill të luante me “kartën magjare”, ndërkohë që qeveria hungareze ka gjetur strehë te istikamet skajshëm nacionaliste, krejtësisht të papërshtatshme e të papërputhshme me arsyetimin dhe udhërrëfimet e Brukselit.

Kushtetuta e re hungareze, “e shkruar me dorën e shumicës” dhe pa iu nënshtruar “korrekturës” së një procesi të mirëfilltë kushtetues, dëshmon turbullimin e peizazhit evropian. Parathënia, e ngarkuar me patos dhe e përqendruar në krenarinë kombëtare, thekson lidhjet e kombit me kurorën perandorake, krishterimin dhe institucionin e familjes(mundësisht sa më e shumtë në numër), duke e ankoruar Hungarinë te trashëgimia e shekullit të njëmbëdhjetë. Shembulli hungarez tregon se “në periferi” të BE-së, edhe pse gjenden ‘brenda gardhit’ dhe nën sqetullat mbrojtëse të BE-së, tek disa vende vërehen ide që bien ndesh me besimin e Brukselit.
Madje edhe ato vende, që deri dje shquheshin si vende model, tashmë po i dërgojnë Brukselit porosi të sikletshme, siç dëshmohet edhe nga Holanda dhe Finlanda, e cila sapo nënshkroi një kapitull të ri të pështjellimit kontinental. Finlandezët nuk njihen si ekstremistë. Për dhjetëra vite më radhë, Finlanda ka vijuar të përmirësojë një sistem të çuditshëm politik të ardhjes në pushtet, ku të tri partitë kryesore i kanë lënë vend njëra-tjetrës me një rregullsi që të linte gati pa mend. Për këtë arsye, dallimet ndërmjet tri forcave kryesore në vend gjenin zgjidhje gjithmonë në mënyrë të paqësore: ngase kundërshtari i sotëm bëhej aleati i nesërm.

Me gjithë tatëpjetën e “NOKIA”-s, vendi ka arritur rezultate të mira në “testin PISA”(sistemin arsimor) dhe po shpërfaqej mirë sa më s’ka. Por, befas, një parti e re populliste - “Finlandezët e Vërtetë” - arriti të renditet si forca e tretë politike në vend. Kjo parti, që është vështirë të mendohet se nuk do të bëjë pjesë në koalicionin e ardhshëm qeverisës, bart në vetvete elementë të përputhshme me popullizmin më të skajshëm të së djathtës ekstreme.

Faji për mësymjen populliste i është veshur kryesisht planit për shpëtimin financiar të euros. Për më tepër, te çdo popull evropian bën konak një ndjesi e vrazhdë, që i konsideron vendet fqinje më shumë si parazite sesa si aleate. Edhe mund të jetë e vërtetë, por megjithatë nuk është arsye e mjaftueshme. Parimisht, në të gjithë Evropën mbijeton edhe një lloj gatishmërie për të marrë mbi supe përgjegjësitë vetjake dhe për të punuar për t’i dhënë jetë një Bashkimi Evropian të ndriçuar.

Madje, Evropa nuk kishte për synim të ishte e ashpër as ndaj popullit grek. Evropianët nuk dëshirojnë që përparimi i kontinentit të shpaloset thjesht si një mekanizëm i vetëm dhe aq i koklavitur, saqë vetëm një grusht njerëzish të rritur e të përgjegjshëm prej Brukselit mund ta vënë e mbajnë në punë, ndërkohë që popullit kontinental t’i mbetet vetëm roli i spektatorit.

Vetëm pak kohë më parë, filozofi gjerman, Jurgen Habermas, ankohej për gjendjen e vajtueshme në të cilën ndodhet Bashkimi Evropian. Ai ka theksuar nevojën e një ‘rinovimi demokratik’, por mbivlerësoi aftësitë e evropianëve për të rikrijuar një Evropë me synime të përcaktuara. Gjithsesi, deri në njëfarë mase mendoj se ka të drejtë: “integrimi evropian ka ecur përpara pa praninë e popujve; e gjen veten brenda një rrethi vicioz, ngaqë nuk është i aftë të kalojë nga procedurat e zakonshme administrative, në një proces që parasheh një kontribut më të qenësishëm të qytetarëve të saj”. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›