Kriza, 4 sektorët që preken më shumë
Për herë të parë, që prej fillimit të krizës financiare në botë, dalin në dritë vlerësimet e Ministrisë së Financave rreth pasojave të mundshme negative që prekin vendin tonë. Në dokumentin zyrtar të buxhetit 2009, dikasteri i Bodes ka hartuar një analizë, brenda të cilit janë trajtuar elementët që mund të shkaktojnë rënien ekonomike të vendit. Fakti që Shqipëria importon në nivele të larta produkte bujqësore dhe energji elektrike, vendi paraqitet i ekspozuar ndaj rreziqeve ekonomike, pasi çmimet e këtyre mallrave kanë pësuar rritje në tregjet botërore. Një tjetër ndikim për rënien ekonomike të vendit parashikohet të jetë niveli i reduktuar i remitancave, pra e parave që sjellin emigrantët në Shqipëri. Në vendet ku ata punojnë janë shfaqur elementë të rënies ekonomike, duke sjellë rritje të çmimeve, e si pasojë reduktim të të ardhurave. Për sa u takon eksporteve, ekspertë të Ministrisë së Financave mendojnë se ecuria e tyre shihet si një risk më i vogël për ekonominë shqiptare. "Pasiguria më e lartë mbetet në eksportet e disa grup-mallrave, të cilat karakterizohen nga një elasticitet i lartë i kërkesës, siç janë tekstilet dhe veshjet e këmbëve. Megjithatë, ecuria e këtyre grup-mallrave në 8-mujorin 2008, ka rezultuar i qëndrueshëm", thuhet në analizën e "Parashikimeve makroekonomike për vitin 2009". Sa u takon vështirësive financiare, që po kalojnë një sërë ekonomish të mëdha në mbarë botën, të cilat tashmë po shihen si risku kryesor për stabilitetin financiar a atë makroekonomik të globit, e rrjedhimisht në një masë të konsiderueshme edhe për atë të vendit tonë, Ministria e Financave shprehet se, "mundësitë që ky lloj risku të materializohet në vendin tonë vlerësohet të jetë i ulët". Edhe pse vihet re një tkurrje e sistemit bankar në vend, ekspertë të Financave përmendin faktin e prezencës së "imunitetit" që ka sistemi ynë, si pasojë e ekspozimit tepër të ulët në tregjet e huaja. Si përfundim, dy janë elementët kryesore që rrezikohen nga kriza financiare në botë: produktet bujqësore dhe çmimi i energjisë elektrike. Sa i takon sektorit të bujqësisë, ministria mendon se qeveria do të rrisë fondin në mbështetje të fermerëve, në mënyrë që të shtohet prodhimi vendas, ndërsa për shtresën e varfër parashikon të akordojë financime subvencionuese për përballimin e çmimit.