E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Ambasadoret: Pertej deklaratave, duhen vendime

TIRANE- “Partitë të mos vojnë zgjidhjen”- ky është apeli i qartë që ambasadorët e Bashkimit Europian përcjellin për dy liderët e partive politike në vazhdën e negociatave për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Menjëherë pas takimit të zhvilluar mes ambasadorëve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, Manuel Montobio, ambasadori i Spanjës, vendi I cili ka presidencën e radhës së BE-së deklaroi për median

“Partitë të mos vonojnë zgjidhjen. Cdo vonesë rrezikon seriozisht integrimin.” Nënvizoi Montobio duke theksuar se “zgjidhja duhet të vijë para datës 6 mars. “
Ambasadori spanjoll tha gjithashtu se mbështet presidentin Topi në procesin e tij të negociatorit.

Kryediplomatet u mblodhën sot paradite në takimin e përjavshëm në zyrat e Komisionit Europian në Tiranë. Në takimin prej afro 90 minutash, diplomatët, të cilët prej ditësh, janë të angazhuar në procesin e negociatave kanë thënë se deklarateve të dy liderëve politikë duhen vendime konkrete.

“Palët duhet të bien dakord lidhur me modalitetin e komisionit hetimor për zgjedhjet” – sqaroi ambasadori spanjoll, ndërsa ambasadori i KE-së Helmut Lohan nënvizoi se ndërkombëtarët nuk do të japin asnjë propozim konkret lidhur me situatën aktuale, dhe se propozimet dhe zgjidhja duhet të vijnë nga faktorët e brendshëm nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, dy ambasadorët, Lohan dhe Montobio kanë qenë të angazhuar në një proces të gjatë negociatash mes palëve. Shumë shpesh gjatë fillimit të këtij viti, Lohan dhe Montobio kanë takuar Presidentin e Republikës, ashtu sikurse bënë edhe dje, pak momente para se në atë seli të mbërrinin veç e veç, krerët e PS-së dhe të PD-së. Po kështu, dy ambasadorët kanë takuar dhe kanë negociuar veç e veç edhe me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. Të ndihmuar në këtë proces edhe nga ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, diplomatët evropianë kanë tentuar që të krijojnë urat e komunikimit mes dy drejtuesve të politikës shqiptare, Berisha dhe Rama, por deri më tani ende nuk ka ndonjë rezultat përfundimtar, që do të thotë se ende nuk kemi një marrëveshje të firmosur prej të dyja palëve.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›