E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhet e politikës

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, përfaqëson me besnikëri tipikun e italianit siç njihet në botë: qejfli, i dashuruar me jetën e bukur, paranë dhe gratë e bukura. Letërsia dhe kinemaja italiane është plot me personazhe të tilla, por italianët, një pjesë e tyre, duken të habitur që një personazh i tillë nga letërsia, filmat, përfundon e zgjidhet kryeministër. Personalisht, sapo njoha një italian me cilësi komplet të kundërta me këto që sapo shkruajta, u dashurova e u martova me të. Por nuk ishte e lehtë, sepse shumë nga të fisit e paragjykonin këtë lidhje: “ç’do me italian, se ata janë donzhuanë!” Kjo është fama që kanë! I kemi përshkruar dhe ne si të tillë në libra e filma, që në kohën e realizmit socialist. E padyshim, nuk janë të gjithë njësoj.

Nga ana tjetër, ne shqiptarët, me një nam tjetër, edhe më të keq, si trafikantë vajzash e droge, klandestinë, të paaftë të ndërtojmë një shtet demokratik e të fundit në Evropë e rajon për cilësi jete, indinjohemi kur kryeministri italian, të cilit i kemi shtrirë dorën dhe të tjera gjëra, bën batutat e tij të zakonshme mbi një histori tragjike: atë të trafikimit të nënave e vajzave. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, shpesh i gatshëm në përgjigje të batutave, kësaj radhe u hutua, nuk tha gjë. Ose të paktën, kështu u duk. Por, pak ditë më pas i erdhi në mbrojtje Berluskonit, duke e justifikuar e duke e bërë më pak dramatike situatën. Në fakt, dhe Obama bëri të njëjtën gjë kur e gjithë bota kritikonte e konsideronte raciste batutën që Berluskoni pat bërë për të: “I ri dhe i nxirë” (ne kuptimin nga dielli). Obama, me një telefonatë miqësore shuajti polemikat, pasi prekja në këtë rast ishte personale, edhe pse mesazhi i rrezikshëm. Me të drejtë, shumë intelektualë shqiptarë në Itali u indinjuan, duke bërë letër proteste në media e duke kërkuar një distancim të qartë e një dënim të këtij prononcimi. Kjo gjë nuk u bë në Tiranë, përkundrazi. Fajit të parë të mosdistancimit nga ky prononcim, kryeministri i shqiptarëve, i shtoi dhe justifikimin për një deklaratë të tillë, ku ndryshe nga rasti i Obamës nuk i drejtohej personalisht Berishës, por një kategorie vajzash shqiptare. Imagjinojmë në një varkë me klandestinë, shqiptarë të dërguar në Itali nga kryeministri ynë si “tutor”, e homologu italian në pritje në brigjet përballë bën seleksionimin e vajzave të reja e të bukura, nga ato në moshë të thyer e të sëmura, që rrugëtimin klandestin e kanë ndërmarrë për t’u kuruar apo për t’u bashkuar me djalin që ka nevojë për ndihmën e nënës në shtëpi e s’i japin dot një vizë, pavarësisht garancive të shumta që i ka bërë.

Më duket më e rëndë ajo që ne jemi të detyruar të gëlltisim nga një lajthitje, batutë e pa menduar mirë nga kryeministri italian. Gazetarë, shkrimtarë e shoqëri civile, bëjnë detyrën e tyre qytetare që i denoncojnë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›