E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Ramës: Të mos cenohen votat gjatë procesit të numërimit

Kreu i PS-së denoncon tentativat e manipulimit të votave në zona të ndryshme të vendit. Rama: “Funksionarë të Ministrisë së Brendshme kanë ushtruar presion ndaj njerëzve që po numërojnë votat”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dha dje konferencën e tij të parë për shtyp që pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryesocialisti, duke vlerësuar zhvillimin normal dhe të qetë të procesit të votimit, u bëri apel të gjitha palëve që ta ruajnë këtë normalitet edhe gjatë procesit të numërimit të votave. Rama deklaroi se gjatë pasdites së djeshme kishte pasur tentativa dhe skenarë, të cilët synonin që të devijonin vullnetin e sovranit gjatë procesit të numërimit të votave. Kreu i PS-së bëri apel që të mos ushtrohet presion ndaj komisionerëve, të cilët po kontribuonin në një proces të mundimshëm për të nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve. Rama denoncoi gjithashtu edhe ndërhyrjet e disa funksionarëve me pushtet të Ministrisë së Brendshme, të cilët, sipas tij, ishin dyndur në qendrat e numërimit të votave dhe tentonin t’u bënin presion komisionerëve.

Ndërhyrjet

Kryetari i Partisë Socialiste denoncoi disa raste të ndodhura në qendra të ndryshme të numërimit të votave. Sipas tij, persona me pushtet po tentonin t’u bënin presion komisionerëve, me qëllim që të devijonin votat që zgjedhësit kanë dhënë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesocialisti Edi Rama deklaroi gjithashtu se kishte pasur një komunikim telefonik me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilit i kishte kërkuar angazhim maksimal për mbrojtjen e procesit të numërimit të votave. Rama tha se vlerësonte rolin e Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër tha se në shumë raste punonjësit e Policisë së Shtetit ishin bërë palë me personat që tentonin të manipulonin votat. Sipas kryesocialistit, një gjë e tillë ndodhte për vetë faktin se punonjësit e policisë në shumë raste janë kërcënuar me vendin e punës nga funksionarët dhe pushtetarët e Ministrisë së Rendit. Rama tha se gjatë pasdites së djeshme ishin konstatuar raste kur shumë prej këtyre funksionarëve ishin dyndur në qendrat e numërimit të votave, në zonat ku Partia Socialiste kishte arritur një rezultat të suksesshëm elektoral. Kreu i PS-së paralajmëroi marrjen e masave të ashpra ligjore për secilin person që do të prekte votat e shqiptarëve. Rama bëri apel që të gjitha palët ta përfundonin këtë proces të rëndësishëm, ashtu siç edhe e nisën, me normalitet dhe qetësi.

Rezultati
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli gjithashtu edhe për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndonëse gjatë ditës së djeshme kompania “ECA” në pjesën më të madhe të kohës ka shpallur fituese Aleancën për Ndryshim, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reflektuar me qetësi dhe normalitet. Ai tha se Partia Socialiste po e pret me mjaft qetësi rezultatin, jo vetëm sepse faktori ndërkombëtar ka kërkuar që festimet të zhvillohen pas rezultatit zyrtar, por edhe sepse ai ishte i bindur në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Sipas Ramës, Partia Socialiste, me anë të strukturave të saj, është në proces njohjeje të vazhdueshme me rezultatin zgjedhor. Kreu i PS-së tha se informacionet që PS-ja ka për rezultatin janë më të avancuara se ato që po publikon kompania “ECA”. Rama tha se Partia Socialiste është shumë e bindur që vota e ndryshimit ka ardhur, por se selia rozë po respekton shpalljen e rezultatit zyrtar.

LSI-ja denoncon vonesat dhe problemet gjatë numërimit të votave

Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësimin për disa incidente problematike të ndodhura dje gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas zëdhënësit të LSI-së, Ralf Gjoni, është konstatuar se në komunën e Paskuqanit procesi i numërimit të votave nuk ka filluar prej 9 orësh, duke mos pasur asnjë argument ndonjë që te qendra e numërimit të votave ka pasur forca të shumta policie. Gjoni denoncoi gjithashtu edhe problemet e hasura në Njësinë Bashkiake Nr. 10 si dhe faktin se në komunën e Bulgarecit në Korçë nuk ishin shënuar numrat e dokumenteve të identifikimit të votuesve në 3 qendra votimi. Zëdhënësi i LSI-së shprehu gjithashtu shqetësimin edhe për vonesat e theksuara në procesin e numërimit të votave. “Dëshirojmë të theksojmë në mënyrë të veçantë se problem tepër shqetësues për Lëvizjen Socialiste për Integrim përbën ritmi tejet i ngadaltë i procesit të numërimit në pjesën më të madhe të qarqeve. Kuptohet që ngadalësimi i vazhdueshëm i numërimit do të rezultojë në lodhjen e mëtejshme të komisionerëve dhe vëzhguesve, si dhe në rritjen e tensionit përgjatë natës së gjatë që na pret të gjithëve”, - tha Gjoni.

30 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›