Kriza, Clinton: Mbështesim Greqinë
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen për masat që po merr Greqia për tu përballur me defiçitin e thellë buxhetor. Kryeministri grek, Papandreu, është takuar në Uashington me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. "E di se këto janë ditë të vështira për Greqinë. Dua t'i shpreh përgëzimet e mia kryeministrit për mënyrën se si iu qas sfidave pasi mori detyrën", tha Klinton. Ajo foli dhe për rolin e Athinës edhe në zhvillimet ballkanike. "Diskutuam edhe për Ballkanin, ku Greqia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në nxitjen e mundësive ekonomike, stabilitetit dhe demokracisë. Përmbyllja e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit në institucionet euroatlantike është thelbësore për stabilitetin rajonal. Ne e përgëzojmë Greqinë për rolin udhëheqës që ka luajtur në çuarjen përpara të zhvillimeve", tha Klinton.
Kryeministri grek, Papandreu më herët në Uashington kishte deklaruar se defiçiti buxhetor i Greqisë mund të çojë në një krizë të dytë financiare globale. Shefi i ekzekutivit grek ndodhet në në Uashington, ku pritet të takohet me presidentin Barak Obama.
Papandreu tha se kriza greke mund të ketë "efekt domino" derisa "pasojat mund të jenë po aq të rënda sa të krizës që nisi dy vjet më parë në Shtetet e Bashkuara".