Kriza FIFA-Shqiperi. Pango-Duka, paqja larg

Sfida Pango-Duka (MTKRS-FSHF) po i ngjan përplasjes folklorike të dy vezëve. Njëra patjetër do të thyhet. Por, nëse ajo e Dukës është e mbrojtur ndërkombëtarisht (ia vlen të kujtojmë se presidenti i FSHF-së është një nga prodhuesit më të mëdhenj në Shqipëri përmes kompanisë së tij "AIBA), "veza" e Pangos (ministri i dytë i sportit në qeverinë "Berisha") është lehtësisht e pambrojtur. Për të lënë pas hyrjet metaforike dhe për të dalë te problemi më i mprehtë i topit të "shfryrë" shqiptar, dje u realizua një nga aktet drejt paqes. "Unë uroj që të kemi një zgjidhje pozitive sa më shpejt, ashtu sic e kam dëshiruar gjithmonë", - tha Duka.
"KOKË MË KOKË"
I kërkuar zyrtarisht nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, takimi dypalësh Pango-Duka u zhvillua në zyrën e ministrit Pango, duke marrë edhe një sfond privat. Biseda u fokusua tërësisht në lidhje me dy ndëshkimet e FIFA-s dhe UEFA-s, që prodhuan edhe pezullimet e Shqipërisë për shkak të ndërhyrjes së politikës në punët e futbollit.
Një takim kokë më kokë i shumëpritur, por që nuk prodhoi asgjë për momentin. Biseda u zhvillua në mëngjes herët (rreth orës 08:30) në selinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, por nëse Duka u shpreh i gatshëm për të folur për mediat, ministri preferoi një "herë tjetër", për të shmangur edhe hollësitë për median duke mos dashur të prononcohet rreth takimit, por besohet se gjithcka do të zgjidhet në ditët në vazhdim.
ARGUMENTET
Kreu i FSHF-së mori të mërkurën edhe mbështetjen e shefit të FIFA-s, Jozef Blater, dhe me këtë siguri presidenti Duka i ngjiti shkallët deri në katin e tretë, ku ndodhet zyra e Pangos, me një siguri absolute se do të ishte ai fituesi. Bosi i futbollit shqiptar u tregua i hapur për të folur për median duke parë edhe insistimin e tyre. Duka deklaroi për mediat se i kishte paraqitur ministrit argumentet për pezullimin e FSHF-së, por tha se bisedimet nuk kishin sjellë asnjë rezultat. "Jemi në negociata të vazhdueshme dhe shpresojmë se do të kemi takime të tjera për të gjetur ndonjë zgjidhje", - tha i qetë Duka. "Biseduam në përgjithësi për të gjitha problemet. Kemi debatuar (me Pangon) jo kush është e drejtë, jo kështu, po ashtu. Jemi munduar të bindim njëri-tjetrin, por nuk kemi arritur ende në asnjë përfundim. Shpresoj në të ardhmen. Uroj të kemi zgjidhje pozitive e të rikthehemi sa më shpejt në FIFA", - tha Duka, i cili shtoi se brenda një afati të shkurtër kohor do të zhvillohet një takim i dytë.
ASAMBLEJA
Duke shfrytëzuar konferencën për shtyp në lidhje me shpërblimet e sportistëve elitarë të shumësportëshit shqiptar (u shpërndanë rreth 18 milionë lekë), ministri i sporteve Ylli Pango, pas takimit me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sqaroi se firmosi statutin e FSHF-së vetëm me një ndryshim, ndërsa i bëri thirrje Federatës të mbledhë Asamblenë për ta miratuar atë. Pango sqaroi se kontrolli në institucionin e drejtuar prej Dukës po shkon drejt përfundimit dhe rezultatet do t'i bëhen publike UEFA-s dhe FIFA-s, që e kanë pezulluar tashmë futbollin shqiptar nga aktivitetet ndërkombëtare. Ministri Pango deklaroi se komunikimi me FSHF-në po kryhet konform ligjeve të shtetit shqiptar. Ai theksoi se ministria ka vlerësuar situatën aktuale në FSHF dhe kërkon mbledhjen e Asamblesë së saj për të firmosur ndryshimin e bërë në statut. "Ministria kontrolloi vetëm fondet e akorduara nga shteti. Auditi në FSHF po përfundon dhe rezultatet do t'i bëhen të ditura UEFA-s", - tha Pango.