Ndërpriten punimet në Rrugën e Arbrit
Tashmë, kur afati kohor i përfundimit të punimeve për ndërtimin e të ashtuquajturës Rruga e Arbrit ka tejkaluar çdo parashikim të mundshëm, kjo më tepër se shqetësim është kthyer në një alarm të vërtetë për dibranët. Sipas kontratës së nënshkruar nga firmat kontraktore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve Tiranë, segmenti Bulqizë-Ura e Çerenecit, prej 17 kilometrash duhet të përfundonte që në datën 4 dhjetor të vitit të kaluar. Por, deri më tani është realizuar vetëm 50 deri në 60 për qind e punimeve, në të gjithë gjatësinë e saj. Firma tenderuese ka pretenduar se zvarritja e punimeve ka ardhur për shkak të problemeve në procesin e shpronësimeve të tokave të pronarëve ku kalon rruga. Por, për autoritetet vendore, vonesat kanë ardhur për shkak të neglizhencës në punime. Nënprefekti i Bulqizës, Agim Perhati, pohon se vonesa ka qenë për shkak të neglizhencës së firmave tenderuese, pasi njësitë vendore në territoret e të cilave kalon rruga kanë qenë në çdo moment në mbështetje të tyre, duke mos krijuar asnjë vonesë për ta në lidhje me shpronësimet e tokave. Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve që kalojnë në këtë segment rrugor, shprehen se prej më shumë se një viti lëvizja në këtë pjesë rruge është kthyer në një torturë të vërtetë, pasi nga punimet e lëna përgjysmë i gjithë ky segment rrugor është shkatërruar totalisht.