E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të vriste të shoqen dhe e tregoi si grabitje

Zbardhet plagosja e një gruaje dy ditë më parë në Tiranë dhe për këtë krim arrestohet bashkëshorti i saj. Arjan Danaj ka tentuar të vrasë bashkëshorten dhe të mashtrojë policinë, sikur ajo kishte rënë pre e një grabitjeje. Ngjarja është zbardhur dje paradite me ndihmën edhe të së plagosurës rëndë, e cila ka mundur të tregojë çfarë kishte ngjarë, ndryshe nga ato që pretendonte bashkëshorti. Sipas policisë, Arjan Danaj kishte bërë kallëzim se bashkëshorten e tij, Valentina Danaj, në lagjen "5 Maji", persona të panjohur e kishin grabitur dhe më pas goditur me kaçavidë në afërsi të zemrës dhe me levë pas koke. Ai ka deklaruar se i kishin marrë çantën me rreth 100 mijë lekë. Policia, e njoftuar për këtë ngjarje, ka shkuar atje, por ka ngritur dyshimet se vendi i treguar nga Danaj, nuk ishte ai i ngjarjes. Megjithatë, kanë dashur të marrin në pyetje të dëmtuarën, por ajo ndodhej në gjendje të rëndë dhe nuk mund të fliste. Nga ana e këtij seksioni, pas kryerjes të të gjitha veprimeve hetimore rezultoi se kallëzimi i Arjan Danajt ishte i rremë dhe se autor i kësaj ngjarjeje të rëndë ishte vetë 45-vjeçari. Sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur në zyrën e së plagosurës te "21 Dhjetori", ku ajo punon si kontabiliste. Atje kishte shkuar bashkëshorti i saj, i cili ishte zënë me të që në rrugë për motive xhelozie. Konflikti kishte vijuar deri në zyrë, ku Arjani ka marrë thikën dhe e ka goditur të shoqen pranë zemrës. Duke shpresuar se ajo do të ndërronte jetë dhe e vërteta nuk do zbardhej, e ka çuar në spital, duke mashtruar se e kishte gjetur te rruga "5 Maji". Policia shpjegoi se në zyrë u gjet edhe thika e krimit me gjurmët e të arrestuarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›