Taksistët refuzojnë përdorimin e taksimetrave
Edhe pse u mendua se vendosja e taksimetrave do t‘i jepte zgjidhje problemit të shoferëve të taksive, sërish këta të fundit shprehen të pakënaqur. Sipas tyre, konkurrenca e pandershme nga taksitë e palicencura po thellohet më shumë pas vendosjes së taksimetrave dhe çmimeve të reja që janë vendosur nga qeveria. Sipas tyre, taksitë pirate ofrojnë një shërbim më të lirë për klientët nga ajo që mund të ofrojnë të licencuarit nën presionin e taksimetrit. "Sapo na vjen një klient, na duhet t‘i sqarojmë atij edhe çmimin e taksimetrit, që duhet thënë se është më i lartë se çmimi që aplikonim më parë", tha Elmaz Verria, drejtues i një taksie të licencuar. Prej një muaji, taksimetrat janë vendosur te 75 mjete taksi, por në asnjë ditë të këtij muaji nuk janë përdorur. Ndërkohë, drejtuesi i shërbimit të transportit në Bashkinë e Fierit, Ibrahim Nallbani, shpjegon për gazetën "Shqip" se mjetet që janë me licencë, kanë përfituar kriteret bazë të përcaktuar nga Ministria e Transportit, duke u pajisur edhe me matës. "Raporti i autoveturave 4+1 dhe 8+1 është një me dy për Bashkinë e Fierit. Sipas ligjit në fuqi, jemi detyruar t‘u japim licencë edhe mjeteve të komunave, proces që tashmë ka mbaruar. Aktualisht të gjitha taksitë janë të pajisura me taksimetra, edhe pse shumë prej drejtuesve nuk i përdorin ato". Taksistët kanë vendosur që të mos vënë në përdorim matësit, për sa kohë nuk do të merren masa ndaj taksive të palicencuara.