Zjarri djeg 2 hektarë të pyllit të Funarëzit
Zjarr nga pakujdesia. Ky ka qenë shkaku zyrtar i djegies së të paktën dy hektarëve me shkurre e pyje në Rrethin e Librazhdit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Funarëz të Komunës së Orenjës, rreth 30 kilometra larg qytetit të Librazhdit. Zjarri ka rënë papritur dhe ka qenë kryetari i këshillit të Komunës së Funarëzit ai që ka pikasur flakët në pyll dhe më pas ka lajmëruar strukturat shtetërore dhe grupin e zjarrfikësve në këtë rreth. Dy makina zjarrfikëse janë nisur menjëherë drejt Orenjës, por largësia ka bërë që ndërhyrja e tyre të rezultojë jo shumë e frytshme. Ndërkohë, ka qenë gati e pamundur futja e automjeteve në pyjet e fshatit Funarëz. Të favorizuara edhe nga era, flakët e zjarrit kanë mundur që në vendin e quajtur "Shtëpitë e Sheros", brenda 30 minutave të shkrumbojnë plot dy hektarë me shkurre e pyje dushkore. Nëse zjarri nuk do të shuhej vetë, sipërfaqja e dëmtuar do të rezultonte më e madhe. Hetimet e para të policisë dhe specialistëve të pyjeve kanë nxjerrë si shkak të rënies së zjarrit pakujdesinë, por pa dhënë ndonjë emër konkret. Zakonisht raste të tilla kanë marrë për autorësi kalimtarë të zakonshëm, që nga pakujdesia hedhin cigare, të cilat shërbejnë si vatër zjarri apo dhe barinj që ndezin zjarre në pyje për t‘u ngrohur dhe ikin pa e fikur atë. Sidoqoftë, sipas burimeve zyrtare të policisë së Librazhdit, ngjarja është nën hetim dhe po punohet për të gjetur autorët e mundshëm të vënies së zjarrit.