E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e OMONIA-s, Rrëzimi i paktit detar, deputeti grek: Nuk na pëlqeu vendimi



SARANDË - Zhvillimi i Asamblesë së OMONIA-s në Sarandë gjatë ditës së djeshme ka sjellë edhe reagimin kritik të njërit prej deputetëve të Partisë Demokratike greke, Stelios Kostandinidhis, i cili, gjatë fjalës së tij në këtë asamble, duke i referuar Marrëveshjes së ujërave territoriale mes Shqipërisë e Greqisë, shprehu keqardhjen për anulimin e vendimit nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. “U çuditëm dhe nuk na erdhi mirë që kjo gjykatë anuloi një vendim, i cili ishte marrë pas premtimeve të qeverisë shqiptare gjatë vizitës dy vjet më parë të kreut të PD-së greke, Kostas Karamanlis. Pra, vendimi u mor me marrëveshjen e dy palëve”, - është shprehur gjatë ditës së djeshme deputeti i djathtë grek. Deklaratat e tij erdhën në takimin që po zhvillohej nga minoritarët grekë në Shqipëri, që janë të organizuar në shoqatën “OMONIA”. Ai vijoi më tej deklaratën me fjalët se “nëse Shqipëria nuk zbaton të drejtat e minoritetit grek, atëherë nuk shteti helen nuk do të japë mbështetjen për integrimin në BE të Shqipërisë”. Në këtë asamble ka qenë e pranishme edhe sekretarja e partisë së PASOK-ut, Maria Dhimitrakopuli, që ashtu si Kostandinidhis, mbështeti ligjin për varret greke dhe ligjin për regjistrimin e popullsisë në bazë të etnisë dhe përkatësisë fetare. Ndër të tjera, Maria Dhimitrakopuli shtoi se kontributi i Greqisë për ndërtimin e rrugëve, shesheve, shkollave etj., në disa pjesë të Jugut të Shqipërisë do të bëhet për zhvillimin e minoritetit grek që banon në këto zona. Në të njëjtën kohë që zhvillohet Asambleja e OMONIA-s në Sarandë, në Gjirokastër reagon Spiro Ksera, duke u shprehur kundër OMONIA-s, duke e quajtur atë një organizatë të lidershipit, por jo për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Ksera u shpreh se ata që u përjashtuan pa të drejtë nga OMONIA nuk u ftuan të merrnin pjesë për të shprehur mendimin ndryshe në këtë Asamble.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›