Mazhoranca, ligj austriak për mediat
Mazhoranca pritet të miratojë së shpejti një variant të ngjashëm me ligjin austriak për funksionimin e medias në Shqipëri. Këtë gjë e paralajmëroi dje Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së. Sipas tij, ky ligj do të bëjë të mundur çlirimin e gazetarëve nga pronarët. Kryeministri e konsideroi këtë si një betejë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe ligji austriak duhet të miratohet sa më shpejt. Çështjes së medias Berisha iu referua teksa foli për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut të pasqyruara së fundmi dhe në raportin e DASH-it. Berisha vuri në dukje se ndryshe nga ish-pushtetarët e majtë të cilët burgosnin, keqtrajtonin dhe gjobisnin njerëzit e medias, qeverisja e djathtë nuk ka hapur asnjë gjyq ndaj medias. Ai përmendi se është një seri raportesh ndër më seriozet ndërkombëtare, të cilat deklarojnë, e zeza mbi të bardhë, se qeveria shqiptare në tërësi respekton liritë dhe të drejtat, se qeveria nuk ka ndërhyrë në politikat editoriale të mediave dhe se ajo mund të kritikohet lirshëm publikisht dhe privatisht nga qytetarët dhe se në Shqipëri nuk ka pasur asnjë proces civil apo penal ndaj gazetarëve, standard i vetëm ky në mbarë botën. “Dy janë shtyllat themelore të lirisë së shtypit: së pari, liria e tyre për të raportuar të gjitha konstatimet e tyre; së dyti, liria e tyre për të mbrojtur burimin e informacionit. Ka tre vjet dhe po bëhen katër që asnjë gazetari, asnjë publicisti asnjë editorialisti, çfarëdo që të ketë botuar, nuk i ka kërkuar njeri burimin e informacionit, përveçse në një rast prokuroria një gazetari, që pasi i kishin shitur prokurorët informacionin, i kërkonin gazetarit nga e kishte marrë këtë informacion, duke dëshmuar se nuk ishin prokurorë, por ishin matrapazë. Kjo është e vërteta dhe kjo administratë nuk do t’u kërkojë ndonjëherë burimin e informacionit gazetarëve”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.