Shqipëria në NATO, Komisioni i Jashtëm, ok aderimit
Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dje Paketën për Aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, që përbën edhe bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend të përshtatshëm anëtar të NATO-s. Pesë ligjet bazë që përbëjnë këtë paketë, u miratuan me konsensus të plotë nga anëtarët e Komisionit të Jashtëm. Paketa ligjore për aderimin e Shqipërisë në NATO u miratua në datën 11 shkurt 2009 nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që ajo pritet të marrë së shpejti edhe miratimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjykata Kushtetuese niset për në SHBA
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të kryejnë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra e shtypit pranë kësaj gjykate njoftoi se “me ftesë të Shoqatës së juristëve amerikanë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Vladimir Kristo, do të bëjë së shpejti një vizitë në SHBA. Gjatë ditëve të qëndrimit, delegacioni do të pritet në Gjykatën e Lartë të SHBA-së”. Ftesa iu bë e ditur kryetarit Kristo nga juristi amerikan Roxher D. Sherard, i cili vizitoi vendin tonë javën e kaluar. Qëllimi i vizitës nuk bëhet i ditur si dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë të ditur në rast se do të konsultohet me kolegët amerikanë në lidhje me shqyrtimin e ligjit të dosjeve.