Kriza: Ne nuk prekemi!
Një muaj më parë, në SHBA falimentoi një bankë 158-vjeçare dhe nisi kriza më e madhe financiare pas Depresionit të Madh të viteve 1929-‘33. Bursa e Nju-Jorkut humbi menjëherë në pak ditë mbi 20 për qind të vlerës së indekseve dhe transaksioneve të saj. Ndërsa në Gjermani kjo krizë u ndie javës së kaluar dhe po ashtu kapi edhe Irlandën. Tri ditë më parë, Banka Qendrore e SHBA-së (e quajtur Federal Reserves-Rezervat Federale) uli në një mbledhje urgjente të saj (e kishte për t‘u mbledhur më datat 28-29 tetor) përqindjen e interesit me 0.5 për qind. E bënë këtë veprim (uljen e interesit) gati në kor Banka Qendrore Evropiane, ajo e Britanisë së Madhe, e Kinës, e Suedisë, Zvicrës etj. Në një përpjekje gati të dëshpëruar për të frenuar disi një të tatëpjetë që tashmë duket se nuk di të ndalet. Kriza e bankave kredituese ka përfshirë tashmë Amerikën dhe pothuajse të gjithë Evropën e zhvilluar, duke sjellë shqetësim dhe gati panik tek investitorët dhe depozituesit e bankave investuese, apo kreditore për tregun e shtëpive. Po flitet edhe për humbje kolosale (në nivel të 2 trilionë-dy mijë miliardë dollarëve) të vlerës së fondeve të pensioneve në SHBA. Po në Shqipëri? A do të vijë kjo krizë e frikshme? Përgjigjja është e fortë dhe e prerë: JO! Po cilat janë arsyet për këtë siguri gati qorre? Ndoshta pak vetë e kujtojnë, por në vitet 1929-‘33 të Depresionit të Madh ekonomik, ku të gjitha ekonomitë e botës u prekën kush më shumë e kush më pak, vetëm Shqipëria e Mbretit Zog nuk pësoi gjë. Për një shkak të thjeshtë: sistemi ynë financiar bazohej në atë kohë mbi arin, jo mbi dollarin. Në mënyrë të ngjashme, mund të themi sot se lart nga 35 mijë apartamente të reja të ndërtuara dhe të shitura këto 10 vitet e fundit, vetëm një përqindje e vogël kanë ndërruar pronar nëpërmjet kredive bankare. Shumica janë blerë me para në dorë. Uria e bankave për të dhënë kredi për shtëpi u ndalua deri diku nga zakoni i parellinjve tanë, por edhe i emigrantëve, që më parë mbledhin paratë, pastaj blejnë një shtëpi, apo investojnë. Ky zakon mund të cilësohet sot si shpëtimtar për të ardhmen e tregut bankar te ne. Prandaj edhe është situata në të cilën bankat që në Shqipëri japin kredi për shtëpi janë të sigurta, jo sepse janë të paprekshme nga kriza, porse nuk janë "hapur si uthulla në lakra". Nuk kanë dhënë kredi pa hesap. Përqindja e kredive të pakthyera tek to nuk është shqetësuese. Por shumë njerëz mund të shtrojnë pyetjen: po përse vallë guvernatori i bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë vlerësoi se e ardhmja është e pasigurt? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse kjo e ardhme varet prej nesh, prej armatës së depozituesve të kursimeve të tyre nëpër banka dhe të firmave të biznesit që kanë likuiditetet e tyre. Nëse depozituesit tërheqin nxitimthi paratë, sistemi ynë bankar mund të hyjë në vështirësi. Ndoshta sërish pak vetave u kujtohet prilli i vitit 2001. Në këtë kohë, shumë emigrantë tërhoqën depozitat e tyre. Gati 70 milionë euro u larguan nga bankat në pak ditë. Thjesht për një frikë të kotë të përhapur përmes emigrantëve, e cila rezultoi tërësisht e pabazë. Tani, edhe pse kriza është përhapur thellë në SHBA dhe ka hyrë edhe në shumë vende të zhvilluara të Evropës Perëndimore, kjo nuk do të thotë se do të vijë edhe te ne. Kriza ka të bëjë me bankat investuese dhe me ato që japin kredi prej dhjetëra dekadash. Te ne, bankat tona janë relativisht të reja dhe nuk janë "komprometuar" me dekada kredidhënie, pa shumë garanci për kthim. Të tipit të bankës "Hypo" në Gjermani, e cila desh falimentoi dhe që u desh ndërhyrja e shtetit gjerman për ta shpëtuar. Këtu te ne nuk ka si të kemi të tilla raste. Pra, edhe paniku do të ishte fare i pabazë dhe thjesht i dëmshëm për sigurimin e parasë "kesh" për bankat. Depozituesit shqiptarë pranë të 25 bankave tregtare, apo filialeve të tyre në vend i kanë të gjitha arsyet të jenë të qetë dhe të mos shkaktojnë gjëmën me duart e tyre, duke tërhequr kursimet.