E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza dhe orakulli për superfuqinë amerikane

Ditët e fundit, qeveritë evropiane, talebanët, gjithfarë aventurierësh e diktatorësh që mbijetesën e tyre e kanë mbështetur në karshillëkun ose shmangien nga zemërimi i policit të botës, ishin me sy të ngulur në votimin e ardhshëm në kongresin USA. Fati i këtij votimi ishte i lidhur me fatin e amerikanëve dhe po ashtu me fatin e pjesës tjetër të botës.

Sot, shumica e shtypit, qeverive evropiane dhe opinionit i kanë drejtuar topat e tyre nga administrata e Bushit, duke e kritikuar për mefshtësi në parashikimin e krizës dhe deri në komplicitet me bankat, për faktorë që lidhen me financimin e luftërave dhe ekonomisë. Por, a është kjo e vërteta? A është faji vetëm i administratës Bush dhe për më tepër a është ky fillimi i fundit i sundimit USA në skenën globale?

Në kohën e sotme dhe në një ekonomi që përfaqëson 35% të prodhimit botëror, është naivitet të mendosh që faji është i një administrate, e cila është përfaqësuesja e një sistemi par exellence alergjik, për t‘u bërë rregullator i ekonomisë. Gjithashtu nuk mund të akuzohet kjo administratë si shkaktare e krizës. Këtë e dinë fare mirë edhe demokratët, të cilët e votuan paketën Bush, më shumë se vetë republikanët. Kriza është komplekse me shfaqje të saj në plane politike, ekonomike dhe ushtarake. Në vetvete ajo do jetë mamia, e cila do lindë politika të reja, do sjellë ndryshime në teoritë ekonomike dhe padyshim modifikimin e sistemit amerikan e global financiar, por edhe të doktrinës ushtarake, si shprehje e lidershipit amerikan në botë.

Në planin politiko-ekonomik, fillesa e saj mund të identifikohet në vitet e fundit të presidencës Regan dhe qeverisjes së Theçerit si ideatorja e mosndërhyrjes së shtetit në ekonomi, aplikimi i politikave drakoniane sociale dhe glorifikimi i menaxherëve si arkitektët e ardhshëm të shoqërive. Kjo politikë e re u shpreh jo vetëm me lehtësimin e kontrollit dhe taksimit mbi tregjet (përfshi ato financiare), por dhe me indiferencën për drejtimet e politikat e ekonomisë. Që nga kjo kohë fillon mistifikimi i menaxherëve dhe financierëve si guru dhe profetë të shoqërisë së re postindustriale. Qeveritë i lanë duart nga drejtimet që do merrte ekonomia, mënyrën dhe shkallën se si do përdoreshin pasuria kombëtare. Çdo ndërhyrje e shtetit si rregullator, konsiderohej statalizëm i vjetruar. Shteti taksonte biznesin vetëm në masën që të ishte në gjendje të mbante në eficensë administratën shtetërore qendrore, shpenzimet ushtarake dhe në një masë fare esenciale arsimin dhe shëndetësinë. Ishte e vërtetë që banka qendrore caktonte normat e interesit, por qeveritë mund të stimulonin një politikë të kredive të lehta, në mënyrë që të nxisnin konsumin e brendshëm.

Nuk mund të akuzosh për këtë politikë vetëm konservatorët në Britani dhe republikanët në Amerikë. Është e vërtetë që ata e instaluan, por ishte Tony Blair që e stimuloi këtë politikë, duke bërë që në vitin 2005 borxhi i privatëve ndaj bankave të arrinte në 1 trilion (njëmijë miliard) sterlina. Pavarësisht se ekspertët paralajmëronin një faliment masiv në 2007-ën (gabuan me një vit), po në 2005-ën, një e katërta e të rinjve britanikë të moshës midis njëzet dhe tridhjetë vjeç, kishin hipotekuar të ardhmen e tyre në banka me një mesatare prej 52 000 sterlinash.

Jo shumë e ndryshme ka qenë situata në USA. Me mbarimin e mandatit të Bush senior, teorikisht mbaroi edhe era Regan. Por ardhja e Clinton në fuqi nuk shënoi një ndërhyrje parimore dhe ndryshim cilësor në ekonominë amerikane. Kjo periudhë dallohet për përmirësime relative të kujdesit shëndetësor, përmirësim të sistemit arsimor dhe mbi të gjitha për një balancim të deficitit buxhetor, por të gjitha këto të ardhura si rezultat i reduktimit të shpenzimeve ushtarake nga rënia e bllokut të Lindjes. Janë të kësaj periudhe lindja e tycon-ëve të NASDAQ dhe e "Hedge Founds". Filloi një periudhë konsumizmi dhe bollëku të pashoq, ku çdo njeri harxhonte nëpërmjet kredive dhe fitimeve virtuale në bursa, të ardhmen e tij. Çdo njeri kursimet e veta ua besonte brokerëve të bursës, me shpresën e fitimeve të shpejta e të lehta. Ishte mbizotërues opinioni, se Perëndimi po kthehej në kombe bankiere, ndërsa fabrikat do instaloheshin në vendet e Botës së Tretë. Shumë fabrika dhe uzina, nga ato të prodhimit të atleteve dhe deri te linjat e kompjuterëve dhe automobilave, u transferuan në Amerikën Latine, ose Lindjen e Largët. Pas këtyre viteve, mund të gjeje atlete "Nike" të prodhuara në Tailandë, kompjuter IBM të prodhuar në Kinë dhe automobila të prodhuar në Brazil, por jo të prodhuara në Shtetet e Bashkuara. Të njëjtën gjë bënë edhe evropiano-perëndimorët. Shumë nga ne e kujtojnë se në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, fqinji ynë, Italia, ishte lider evropian me kompjuterët "Oliveti", ndërsa marka "Fiat" ishte bërë aksionere deri te "Mercedesi" dhe po përmbyste tregjet me prodhim. Por, pas kësaj euforie, Italia mbylli Olivetin dhe shumë industri të pararojës, ndërsa industritë e automobilave i transferoi në Brazil, ose në Lindjen komuniste. Perëndimorët ishin të bindur se kishte ardhur koha të jetonin me menaxhimin e parave të ardhura nga prodhimet e ish-kolonive të tyre.

Në rrafshin politiko-ushtarak, aleanca e madhe anglo-amerikane, si udhëheqëse e botës së lirë, i la gjërat në rrjedhën e vet. Më tepër se sa të zgjidhte problemet, lideri i radhës ndërhynte sa për sy e faqe, por zgjidhja reale i lihej në dorë kohës, prandaj njëzetvjeçari i fundit i shekullit të 20-të mund të quhet si periudha e gjysmëzgjidhjeve.

Këto politika dhe reagime gjysmake, u dhanë zemër ekstremistëve të të gjitha ngjyrave. Plaga u mahis, deri sa plasi më 11 shtator 2001. Mbas këtij momenti, ishte domosdoshmëri një kundërpërgjigje e ashpër nga ana e udhëheqjes amerikane dhe rezultati janë luftërat e hapura në Afganistan dhe Irak.

Sot, falë teknologjisë, numri i ushtarëve të impenjuar në Afganistan dhe Irak, është sa gjysma e trupave që u impenjuan në Vietnam dhe numri i të vrarëve deri më sot, relativisht i pranueshëm dhe shumë larg humbjeve të Vietnamit. Por i gjithë ky përparim është shënuar me shpenzime të jashtëzakonshme monetare. Përllogaritjet jo zyrtare bëjnë fjalë për një harxhim direkt dhe indirekt për ushtrinë prej 500 miliardë $ në muaj, shifër kjo e barabartë me buxhetin që shpenzonte në vit ushtria amerikane gjatë Luftës së Ftohtë, ose në periudhën Bush përpara 11 shtatorit. Por edhe nëse flitet për një financim të luftës prej 500 miliardë $ në vit, mbi shpenzimin e nevojshëm në periudhë të paqes relative, prapë kjo është një shifër të cilën nuk mund ta mbante për një kohë të gjatë pa këputur mish, edhe një gjigant si Shtetet e Bashkuara.

Bollëku jashtë mundësive, i siguruar nga kreditë e lehta dhe investimi në bursa, si dhe rritja ekonomike e stimuluar nga zhvlerësimi i dollarit, e kanë mbajtur në nivel të lartë konsensusin pro politikave të qeverisë.

Aktualisht, amerikanët duhet të mësohen se koha e parave të lehta ka kaluar. Qeveria nuk mund ta financojë më luftën nëpërmjet trukeve që e vonojnë impaktin me publikun dhe realisht tani do fillojë të fusë dorën në xhepat e taksapaguesve. Shuma 700 miliardë $ po del praktikisht nga këta xhepa.

Kjo krizë nuk do të ketë efektet e asaj të vitit ‘29 të shekullit të kaluar, pasi bota sot është kaq globale, teknologjitë kaq të avancuara, njohuritë në fushën e ekonomisë të elaboruara dhe njëmijë arsye të tjera që na bëjnë të besojmë se nuk do të kemi rast të shohim amerikanë ose evropianë para dyerve të fabrikave të mbyllura, ku luten t‘i marrin në punë, pasi nuk kanë bukë të hanë të nesërmen.

Kjo krizë do të shërbejë si mësim për amerikanët, se lidershipi ka kostot e veta, ndërsa pjesës tjetër të rruzullit t‘i rikujtojë se një teshtimë e Amerikës, bën që botën ta zërë gripi.

Është ende herët për të kënduar De Profundis-in e lidershipit botëror të Shteteve të Bashkuara. Nuk ekziston një fuqi e ngjashme me të sot dhe as për gjysmëshekullin e ardhshëm. Ekonomia amerikane mbetet motori i botës së industrializuar dhe me një sistem elastik për krijimin, aplikimin dhe thithjen e teknologjive të reja. Aftësia e tyre për të tërhequr dhe vlerësuar trurin e ardhur nga bota, është më i miri. Sistemi social për integrimin dhe natyralizimin e emigrantëve, qoftë edhe për shkaqe tradite, është i pashoq në botë. Forcat e Armatosura janë në pararojë të zhvillimit teknologjik dhe më se të motivuara për të mbrojtur interesat amerikane në çdo cep të globit.

Të gjitha këto të bëjnë të besosh se fundi i perandorisë së të mirës nuk do të jetë i shpejtë. Le të shpresojmë që gripi t‘i kalojë me sa më pak dhimbje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›