Negociatat, faza e dytë në nivel ekspertësh
Autori i Lajmit: S. Topi
Marrëveshja e shumëpritur mes mazhorancës dhe opozitës nuk do të jetë aq e lehtë për tu arritur. Kjo gjë është parashikuar nga të dyja palët. Edhe pse nuk e pohojnë publikisht, demokratët dhe socialistë janë të bindur se takimi i 13 shkurtit në tryezën e thirrur nga presidenti Bamir Topi do të jetë vetëm hapi i parë i negociatave mes palëve. Më pas do të nisë një tjetër fazë ajo e takimit mes ekspertësh. Krerët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste pas takimit publik tek Topi do të caktojnë dhe emrat e negociatorëve të rinj, të cilëve do tu delegojnë detyrat përkatëse. Burimet nga dy partitë pohojnë se në këto negociata ashtu si dhe në rastin e Kodit Zgjedhor do të jenë Ilir Rusmali nga PD dhe Fatmir Xhafaj nga PS. Ndryshe nga negociatat e Kodit Zgjedhor, duket se Kastriot Islami nuk është më i preferuari i Ramës.
Takimi
Ora 13:00 e datës 13 shkurt është hapi i parë për ti dhënë fund krizës politike në vend të pohuar me zë të lartë tashmë jo vetëm nga opozita, por edhe nga Këshilli i Evropës. Edhe pse me tone më të zbutura, Asambleja Parlamentare e KE-së dhe në rezolutën e saj përfundimtare të miratuar më 28 shkurt, e cilëson situatën politike në vendin tonë si një krizë politike që kërkon zgjidhje urgjente. Duke pasur parasysh pikërisht këto rekomandime të KE-së, por dhe pas konsultimeve me ambasadorët ndërkombëtarë, kreun e KE-së, Helmut Lohan, ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio, por dhe ambasadorin amerikan, Xhon Uidhers, presidenti Topi vendosi të thërrasë tryezën e shumëpritur. Presidenca nuk pranon kurrsesi të zbulojë detaje të axhendës së kësaj tryeze, por burimet nga selitë e partive pohojnë se Rama dhe Berisha vetëm do të hedhin hapin e parë në rrugën e negociatave. Dy krerët e partive kanë deklaruar publikisht qëndrimet e tyre ekstremisht të kundërta: njëri për hapjen e kutive të votimit dhe tjetri për moshapjen e tyre, çka përbën dhe pikën më të nxehtë të negociatave. Këtu do të jetë dhe vështirësia kryesore e Topit, i cili kas konsultimit me këshilltarët e tij duhet të propozojë të mesmen e artë. Deri tani paraqitet si mundësi e mesme hapja e pjesshme e kutive të votimit, por shqyrtimi vetëm i materialeve zgjedhore dhe jo rinumërimi i votave. Kjo alternativë do të kënaqte PD-në, sepse nuk do të vinte në diskutim fitoren e saj, por dhe PS-në, e cila në njëfarë mënyre do të justifikonte veten, sepse do të konsideronte si arritje hapjen e kutive të votimit. Gjithsesi, këto detaje pritet të saktësohen nga ekspertët e të dyja palëve, të cilat do të detajojnë çdo pikë të negociatave për të siguruar në këtë mënyrë konsensusin e kërkuar me forcë nga ndërkombëtarët. 22 shkurti pritet të shënojë dhe fundin e këtyre negociatave nëse ekspertët do ta lënë gjithçka për në momentin e fundit ashtu siç është praktika e përhershme e marrëveshjeve në Shqipëri. Në këtë datë vijnë në vendin tonë përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, të cilët presin një zgjidhje të situatës. Kreu i shtetit përcaktoi të shtunën si ditën kur Rama dhe Berisha do të ulen të bisedojnë në selinë e tij. Vendimi erdhi pas shumë konsultave me diplomatët në vend dhe pas miratimit telefonik të marrë nga dy kryetarët e partive.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010